Cardi B, e cila ishte duke performuar në Las Vegas gjatë fundjavës, ka hedhur një mikrofon drejt një fanseje, pasi kjo e fundit e lagu me ujë.
Por ky mikrofon i famshëm tashmë ka dalë për shitje në ebay dhe vlera e tij është një shumë marramendëse, prej $99,900.
Mikrofoni është nxjerrë në shitje nga Scott Fisher, pronari i “The Wave”, e cila është kompania e audios që u kujdes për performancën e Cardi B më 29 korrik në Las Vegas.
Fisher është shprehur se qëllimi i kësaj shitjeje është që të ardhurat t’i dhurojë për bamirësi për fëmijët me nevoja speciale.
“Ky është mikrofoni Shure i shfaqur në videot virale ku Cardi B e ka hedhur në drejtim të një personi në Drais Beach Club, më 29 korrik 2023. Ka pafund video në internet që tregojnë këtë mikrofon“, shkruan Fisher si përshkrim në ebay.
“Ne ofruam më shumë se një mikrofon në këtë performancë dhe e verifikuam së bashku me skuadrën se kush ishte ekzaktësisht mikrofoni që Cardi B përdori“.