Princi Laurent i Belgjikës ka pranuar zyrtarisht atësinë e një djali 25-vjeçar të lindur jashtë martese. Pas kaq shumë vitesh thashetheme dhe spekulime, 61-vjeçari e njohu publikisht Clement Vandenkerckhove si djalin e tij biologjik me modelen, aktoren dhe këngëtaren Wendy Van Wanten.
“Me këtë deklaratë, e pranoj se jam babai biologjik i Clement Vandenkerckhove. Gjatë viteve të fundit kemi folur hapur dhe me sinqeritet për këtë çështje”, tha princi Laurent përmes një deklarate për shtyp, ku shoi:
“Ky njoftim bazohet në mirëkuptim dhe respekt për të gjithë të përfshirët. Është rezultat i një konsultimi të përbashkët”.
61-vjeçari është shprehur se nuk do të japë deklarata të mëtejshme dhe as shpjegime shtesë për këtë temë:
“Ju lutem, ta pranoni këtë informacion me diskrecionin që kërkon natyra e kësaj çështjeje delikate”.
Ndërkohë Pallati Mbretëror, përmes zëdhënëses së tij, bëri të ditur se nuk do të komentojë mbi deklaratën e Princit.
Nga ana tjetër, Wendy Van Wanten nuk kishte deklaruar kurrë haptazi se Princi ishte babai i djalit të saj.
“Brussels Times” shkruan se të dy u njohën në Paris në mesin e viteve ’90 gjatë një sfilate mode, dhe siç ka thënë Van Wanten, ata kaluan “momente të bukura” së bashku.
Clement lindi në vitin 2000 dhe shumë shpejt nisën të qarkullonin thashetheme për atësinë e tij. Zgjedhja e emrit “Clement” u interpretua nga disa si një referencë e drejtpërdrejtë ndaj “Villa Clementine”, rezidenca e princit në Tervuren.
Sipas ekspertit të çështjeve të familjes mbretërore, Mario Danneels, lajmi nuk ishte surprizë:
“Ka pasur shumë indikacione. Më i dukshmi ishte padyshim ngjashmëria mes babait dhe djalit”.
Danneels shtoi se Wendy Van Wanten kishte lënë të kuptohej për këtë histori edhe në tekstet e këngëve të saj.
Ai rrëfeu gjithashtu se menaxheri i saj e kishte kontaktuar dikur për të organizuar një intervistë ku këngëtarja do të zbulonte të vërtetën për të birin, por intervista u anulua në momentin e fundit.
Sipas tij, arsyeja pse kjo histori u mbajt e fshehtë për kaq shumë kohë lidhet me tensionet brenda familjes mbretërore.
“Një burim nga oborri më ka rrëfyer se ka pasur përplasje të forta mes Laurent dhe mbretit Albert në lidhje me këtë çështje”, tha Danneels.