Aktori britanik Harris Dickinson ka folur hapur për komentet tronditëse që ka marrë pas xhirimeve të filmit thriller erotik “Babygirl”, ku luajti rolin si i dashuri i Nicole Kidman. Edhe pse roli i solli famë dhe vëmendje të madhe, 29-vjeçari zbuloi se përballë këtij popullariteti të padëshiruar ka kaluar situata të pakëndshme. Në filmin e vitit 2024, Dickinson portretizon të dashurin e një menaxhereje të suksesshme, të interpretuar nga Kidman, e pakënaqur me jetën e saj seksuale me bashkëshortin, të luajtur nga Antonio Banderas.
Filmi me regji të Halina Reijn, është i mbushur me skena të forta pasioni, posedimi dhe tensioni emocional. Vetë Kidman ka pranuar se xhirimet ishin aq intensive sa në disa raste ka kërkuar pushim. “Ishte aq intensive sa ndonjëherë thosha: Nuk dua më të provoj një orgazëm. Mos më afro. E urrej këtë gjë. Nuk më intereson nëse më prek dikush ndonjëherë. Mjaft më. Ishte aq e fuqishme dhe prezente gjatë gjithë kohës, sa pothuajse dukej si djegie e brendshme”, rrëfeu Kidman në një intervistë për The Sun.
Megjithëse ky rol i hapi rrugë një serie projektesh të reja, përfshirë edhe filmin biografik për Beatles, ku do të portretizojë John Lennonin, Dickinson pranon se përvoja pas publikimit të “Babygirl” i la një shije të hidhur. Në një intervistë për podcastin Happy Sad Confused, aktori britanik foli hapur për çdo gjë që përjetoi. “Për të qenë i sinqertë, shumë gjëra nuk më pëlqyen. Por jam krenar që isha pjesë e këtij filmi dhe për punën time në të. E dua Halinën dhe bashkëpunimi me Nicole-n ishte gjëja më emocionuese në karrierën time”-tha Dickinson.
Ai shtoi se e befasoi mënyra se si interneti dhe fansat thjeshtuan dhe deformuan perceptimin e filmit. “Mënyra se si njerëzit e ulën gjithçka ishte e çuditshme. Por nuk mund ta kontrollosh dhe nuk ia vlen të merresh shumë. Njerëzit thjesht janë të çuditshëm. Është interesante se konsiderohet normale të bëhet kjo ndaj aktorëve të rinj. Ky është një problem. Shumë gra flasin gjëra ndaj të rinjve që janë thellësisht të papërshtatshme”, theksoi ai.
Dickinson zbuloi se pas promovimeve dhe takimeve me publikun shpesh është përballur me situata të pakëndshme dhe të papranueshme.
Pas gjithë kësaj kishte momente të cilat ishin krejtësisht të papranueshme. Nga ju pritet të buzëqeshni dhe të heshtni, por kjo më lodhi. Ishte e vështirë për mua të përballoja gjithë përvojën. Njerëzit thonë: ‘Epo, e dinit që filmi do të ishte erotik.’ Por ajo që ne bëmë dhe mënyra se si Halina e trajtoi ishte shumë më delikate dhe komplekse. Në mendjen time nuk ishte një histori banale. Supozoj se nuk mund të kontrollosh si do ta perceptojnë të tjerët, por unë ende e kundërshtoj pak.




