Një oficer policie në qytetin Bengaluru të Indisë, nuk arriti ta njohë këngëtarin e famshëm 33-vjeçar, Ed Sheeran dhe kështu shkëputi mikrofonin e yllit teksa ai po këndonte. Sheeran ishte në mes të hitit të tij të madh “Shape Of You” kur oficeri i policisë iu afrua, duke u dukur mjaft i mërzitur. Një fans që shikonte performancën në rrugë u shfaq duke u përpjekur t’i shpjegonte oficerit të policisë se ai ishte këngëtari i famshëm britanik, por oficeri vazhdoi duke i hequr spinën mikrofonit që ishte te këmbët e 33-vjeçarit.
“Ne kishim leje, kështu që fakti që po luanim pikërisht në këtë vend ishte planifikuar paraprakisht, nuk ishim se u shfaqëm rastësisht”-tha artisti në një postim në Instagram.
Ed Sheeran ka fituar së fundmi një çështje apelimi për këngën e tij të vitit 2014 “Thinking Out Loud”. Gjykata e Apelit të SHBA për qarkun e dytë vendosi se artisti nuk ka shkelur të drejtat e autorit të ” Let’s Get It On ” të Marvin Gaye. Sheeran u akuzua për herë të parë për plagjiaturë muzikore në vitin 2016 nga familja e Ed Townsend, i cili bashkë-shkruan “Let’s Get It On”. Kjo padi u hodh poshtë në 2017, por u pasua në 2018 nga një tjetër padi e ngritur nga Structured Asset Sales, një kompani që zotëron një pjesë të të ardhurave të këngës së vitit 1973, duke pretenduar se Sheeran kopjoi ritmin e akordit të Gaye.
Gjykata gjykoi se dy këngët ndajnë vetëm “blloqet themelore të ndërtimit muzikor” dhe në vendim, gjyqtarët deklaruan se përparimi me katër akorde dhe ritmi i sinkopuar i pranishëm në këngën e Sheeran janë elementë të përdorur zakonisht në muzikën pop dhe për këtë arsye, nuk mund të plotësojnë kërkesat e origjinalitetit të ligjit të së drejtës së autorit.




