E eliminuara e parë e edicionit të pestë të “Big Brother VIP” është Xhodi. Pas një nominimi mes saj, Angelos, Senos dhe Lornës, banorja nuk arriti të marrë vota.

Ditën e sotme ajo ishte e ftuar në emisionin “Fan Club”, ku u shpreh se nuk e priste këtë eliminim dhe se ishte mërzitur.

“Nuk e prisja si eliminim, por mbesa më ktheu tek emocionet se në fund të ditës është familja”, tha Xhodi, duke treguar emocionet e para pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri.

Moderatorja e njohur, Kiara Tito, e pyeti se si e priti gjyshja këtë eliminim, duke qenë se ajo ishte shumë e gëzuar se mbesa e saj po futej në shtëpinë e “Big Brother VIP”

“Edhe ajo po më priste në shtëpi. U mërzit shumë, se më erdhi nga një person që e njihte, është rritur te ne, nga Laçi. Po kuptohet se lojë. Lojë e dobët dhe e papritur”, u përgjigj Xhodi, duke iu referuar Lornës, e cila e futi në nominim së bashku me veten, Senon dhe Angelon.

Xhodi tregoi se familja e ka parë atë si paksa të përhumbur dhe ishin mërzitur se mendonin se mos ajo kishte ndonjë problem.

“Edhe familjarët e kishin parë qetësinë time ndoshta më shumë se ç’duhet edhe deri në një përhumbje, madje ishin mërzitur se mos ka ndonjë hall goca, tha ish-banorja e edicionit të pestë të “Big Brother VIP”, duke shtuar se qetësia e saj e ka penalizuar.

Mendova se do të kisha kohë për t’i njohur njerëzit dhe për t’i prekur aty ku duhet, në atë lojë brenda, me gjërat brenda që ndodhën.

Sigurisht mund të kisha përdorur 1 mijë teknika të tjera që janë përdorur zakonisht, por që nuk është në karakterin tim dhe nuk dola dot jashtë karakterit tim”, u shpreh Xhodi Skura.