Studimet shkencore tregojnë se personat që kryejnë sulme apo ngacmime nuk i zgjedhin viktimat bazuar te veshja e tyre, por te mënyra se si perceptojnë gjuhën e trupit. Në vitin 2025, avokatja federale Adeline Dimond u përball me ngacmime në rrugë nga dy burra. Në vend që t’i injoronte ose të largohej me shpejtësi, siç këshillohet shpesh, ajo reagoi duke u përballur me ta, duke bërtitur dhe duke i kërcënuar me tone agresive. Sipas saj, reagimi i papritur i la ngacmuesit të habitur dhe i bëri të tërhiqeshin.
Edhe pse fillimisht mendoi se kishte vepruar në mënyrë të rrezikshme, studime në fushën e psikologjisë dhe fiziologjisë sugjerojnë se një reagim i fortë dhe i paparashikueshëm mund të jetë një mekanizëm efektiv vetëmbrojtjeje në disa situata.
Prej më shumë se një dekade, kërkimet në kriminologji kanë treguar se autorët e dhunës shpesh zgjedhin viktima që, përmes ecjes dhe qëndrimit të trupit, përcjellin ankth, pasiguri ose ndjesi dobësie. Në të kundërt, ata priren të shmangin personat që duken të sigurt në vetvete dhe të gatshëm për t’u mbrojtur.
Sipas studiuesve, jo vetëm vetëbesimi, por edhe një reagim i fuqishëm emocional dhe i paparashikueshëm mund të ndikojë te sulmuesi. Biologjia evolucionare sugjeron se njerëzit priren të kenë frikë nga sjelljet e papritura, si lëvizjet e vrullshme ose reagimet që duken jashtë kontrollit. Edhe shprehjet e forta të fytyrës, si hapja e madhe e syve, mund të krijojnë në mënyrë të pavetëdijshme një ndjenjë pasigurie te agresori, duke ndryshuar dinamikën mes viktimës dhe sulmuesit.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se në shumë shoqëri gratë janë edukuar të frenojnë zemërimin e tyre për të shmangur gjykimin social. Sipas tyre, kjo mund të favorizojë abuzuesit, ndërsa rikthimi i aftësisë për të vendosur kufij dhe për të reaguar me vendosmëri mund të shërbejë si një mjet i rëndësishëm vetëmbrojtjeje. Megjithatë, specialistët kujtojnë se nuk ekziston një metodë që garanton siguri në çdo situatë. Reagimi duhet të vlerësohet gjithmonë në varësi të rrezikut konkret dhe prioritet mbetet largimi nga situata dhe kërkimi i ndihmës kur është e mundur.



