Melania Trump po përgatitet të rikthehet në ekran me një projekt të ri dokumentar, vetëm disa muaj pas publikimit të filmit “Melania”.

Zonja e parë e SHBA-së njoftoi se një serial dokumentar me dy pjesë do të publikohet më vonë gjatë këtij viti. Ajo e përshkroi projektin si shumë ndryshe nga filmi i mëparshëm dhe premtoi një qasje më personale ndaj jetës së saj.

Gjatë një interviste në “Fox & Friends”, Melania tregoi se seriali do të bazohet më shumë te bisedat e drejtpërdrejta me të, duke prekur edhe tema për të cilat nuk ka folur më parë publikisht.

Do të dalë këtë vit dhe do të jetë shumë ndryshe nga ajo që ishte në film. Është më shumë një bisedë, një me një me mua

-tha ajo.

Ajo zbuloi gjithashtu se gjatë xhirimeve drejtori i ka bërë pyetje personale, disa prej të cilave do të marrin përgjigje për herë të parë.

Kur isha duke udhëtuar dhe po bënim të gjitha xhirimet, drejtori më bënte pyetje dhe ka disa pyetje private të cilave do t’u përgjigjem, që njerëzit nuk i kanë dëgjuar kurrë më parë

-u shpreh Melania.

Sipas saj, seriali pritet të publikohet në nëntor, megjithëse një datë zyrtare ende nuk është konfirmuar.

Projekti i ri vjen pas dokumentarit “Melania”, i cili u publikua në fillim të vitit 2026 dhe ndiqte jetën e Melania Trump gjatë 20 ditëve para inaugurimit të dytë të bashkëshortit të saj, Donald Trump, në janar të vitit 2025.

Filmi u realizua nga regjisori Brett Ratner dhe u publikua nga Amazon MGM Studios. Ai solli pamje nga përgatitjet për inaugurimin, aktivitetet e familjes dhe angazhimet e Melanias gjatë rikthimit të saj në Shtëpinë e Bardhë.

Ratner kishte lënë të kuptohej që në gusht se një projekt i ri ishte në përgatitje, duke e përshkruar atë si dy “kapituj” të rinj të historisë së Melanias.

Ndryshe nga filmi i parë, seriali i ri pritet të fokusohet më shumë te bisedat personale dhe te perspektiva e vetë Melania Trump, duke i dhënë asaj hapësirë për të folur për tema që deri tani i ka mbajtur larg publikut.

Për momentin, detajet e plota të serialit, përfshirë titullin dhe datën e saktë të premierës, nuk janë bërë ende publike.