Bashkëshortja e legjendës së mundjes profesioniste Hulk Hogan, Sky Daily, ka reaguar për herë të parë publikisht pas ndarjes së tij nga jeta. Ajo ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale. 

Hogan, një prej emrave më të njohur në historinë e WWE, ndërroi jetë të enjten në moshën 72-vjeçare, pas një ndalese kardiake në shtëpinë e tij në Clearwater, Florida. 

“Nuk isha gati për këtë… zemra ime është copëtuar”, shkroi Sky Daily në postimin e saj, duke shtuar se megjithëse Hogan po përballej me disa probleme shëndetësore kohët e fundit, ajo kishte besuar se do ta kapërcenin së bashku. 

“Mendoja se kishim ende kohë përpara. Besoja kaq shumë në forcën e tij”, shtoi ajo. 

Sky, e cila ishte gruaja e tretë e Hulk Hoganit, theksoi se për botën ai ishte një ikonë, por për të ishte thjesht Terry – burri që e dashuronte dhe partneri i saj i jetës. 

Ajo tregoi se pavarësisht dhimbjes fizike, Hogan nuk reshti së takuar fansat e tij, duke firmosur autografe dhe duke pozuar për foto me ta. 

“Ju ishit gjithçka për të, dhe ai ju donte me gjithë zemër”, shkroi Sky, e cila e përfundoi mesazhin me fjalë shprese dhe lutjeje: 

“Ai ishte besimtar, dhe më ngushëllon mendimi se shpirti i tij tani është në paqe. Ju lutem, kujtoni familjen e tij dhe të gjithë ne që e donim në lutjet tuaja”. 

Sky Daily dhe Hulk Hogan u shfaqën për herë të parë publikisht së bashku në shkurt të vitit 2022. Ata u fejuan në korrik të vitit 2023 dhe u martuan dy muaj më pas, në një ceremoni të vogël në Florida. 

“Jeta ime e re fillon tani!”, kishte shkruar Hogan në atë kohë në “Instagram”.