Pas daljes për herë të dytë nga shtëpia e “Big Brother VIP 4”, G-Bani ka bërë një reagim në rrjetet sociale ku falënderon ata që e kanë mbështetur dhe sqaroi situatën që përjetoi brenda spektaklit.

Teksa ishte brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, ai mori një lajm të trishtuar për shëndetin e të atit. Mbrëmjen e djeshme, Ledion Liço, sapo nisi spektakli hyri në shtëpi dhe i komunikoi banorit se babai i tij ndodhet në spital në Londër për kurim. Familjarët kanë theksuar se babai i banorit ndodhet në gjendje të stabilizuar.

Në mesazhin e tij publik, ish-banori i BBV 4 theksoi se nuk do të publikojë foto apo momente të vështira për të “bindur” të tjerët, duke i lënë pas komentet dhe dyshimet për daljen e tij nga shtëpia.

“Nuk më është besuar deri sa kam folur me familjen. E besojnë apo jo disa lojtarë e shumë komentues, edhe unë kam familje”, shkroi ai, duke bërë të qartë se për të, rëndësi ka familja dhe jo opinionet e të tjerëve.

Ai shtoi se të gjitha fjalët, kërcënimet dhe sharjet që ka marrë gjatë kësaj kohe ua fal të gjithëve, duke i lënë pas ato që ndodhën brenda shtëpisë së “Big Brother VIP 4”. Në fund, ai përshëndeti të gjithë dhe uroi banorët e mbetur në garë.