Ylli i “TikTok”, Emilie Kiser, nuk ishte në shtëpi kur djali i saj 3-vjeçar u mbyt për vdekje në pishinën e oborrit të familjes.
Influencuesja e njohur humbi të birin, Trigg, më 18 maj, gjashtë ditë pasi ai u gjet i pavetëdijshëm në një pishinë në Chandler, Arizona.
Sipas një burimi për “DailyMail.com”, në momentin që u mor vesh se viktima ishte djali i Kiser, ‘detektivët’ e internetit dhe fansat e saj morën përsipër që të kërkonin të dhëna, përfshirë video, në lidhje me vdekjen e tij.
Një javë pas vdekjes së vogëlushit, 26-vjeçarja vendosi që të ngrinte një padi kundër disa agjencive në Qarkun Maricopa për të bllokuar informacionin privat që të dilte në publik.
Më 4 qershor, Gjykata e Lartë e Arizonës për Qarkun Maricopa vendosi në favor të saj, duke i dhënë asaj konfidencialitet të përkohshëm. Kjo do të thotë se provat nuk do të publikohen ndërsa gjykata merr vendimin e saj përfundimtar mbi tragjedinë.
Kiser i kërkoi posaçërisht gjykatës që të mbante private jo vetëm të dhënat e detajuara të vdekjes së Trigg, por edhe pamjet filmike. Sipas burimit, ka patur shumë kërkesa për t’u bërë publike videoja.
“Emilie nuk duhet të detyrohet që të rijetojë pasojat përmes pamjeve virale”, ka thënë burimi, duke shtuar:
“Kiser ka bashkëpunuar plotësisht me hetuesit. Fokusi këtu nuk është në mbajtjen e informacionit, por në mbrojtjen e dinjitetit të një fëmije dhe në lejimin e një familjeje në zi që të ketë privatësinë e saj”.
Burimi ka zbuluar gjithashtu edhe detaje të frikshme mbi atë që po përjeton 26-vjeçarja dhe familja e saj, teksa ‘fansat e tërbuar’ kanë ‘pushtuar’ shtëpinë dhe janë përpjekur që t’i kontaktojnë.
“Fansat dhe media kanë rrethuar shtëpinë e Emilie-t, kanë filmuar nga dritaret dhe kanë dërguar pako të padëshiruara”, tha burimi.
26-vjeçarja ka 4 milionë ndjekës në “TikTok” dhe 1.7 milionë në “Instagram”, por sipas burimit, ‘profili i saj publik nuk i mohon të drejtën e saj për privatësi, as nuk e bën vdekjen e djalit një çështje për konsum publik”.