Aktorja e njohur angleze, Juliet Stevenson, ka kritikuar kolegen e saj, Nicole Kidman, në përpjekjen e saj për të marrë vëmendjen e publikut të arritjeve të panjohura të shkencëtares Rosalind Franklin.
68-vjeçarja u shpreh se ishte bezdisur kur aktorja e famshme, e cila luajti rolin e Franklin në një shfaqje në Londër dhjetë vite më parë, pretendoi: “Unë jam personi që solla Rosalind Franklin në botë… askush nuk e njeh këtë histori”.
Duke folur në “Festivalin Hay”, Stevenson tha se ajo vetë kishte ndihmuar që historia e Franklin të merrte vëmendje gati 30 vjet më parë, kur interpretoi rolin e saj në dramën televizive “Life Story” të vitit 1987 në BBC, e cila fitoi një çmim Bafta.

Aktorja, e cila i ka vënë vajzës së saj emrin Rosalind, luajti në dramën përkrah Jeff Goldblum dhe Tim Pigott-Smith, të cilët interpretuan përkatësisht James Watson dhe Francis Crick.
Propozimi i këtyre të fundit në vitin 1953 për strukturën e spirales së dyfishtë të molekulës së ADN-së i çoi drejt çmimit Nobel në mjekësi në vitin 1962.
Franklin, e cila vdiq në moshën 37-vjeçare në vitin 1958, nuk u njoh gjerësisht për ndikimin e saj gjatë jetës. Watson dhe Crick, ndërsa punonin në Universitetin e Kembrixhit, ndoqën leksionet e saj në Londër dhe përfituan nga të dhënat që ajo kishte mbledhur në kërkimet e tyre.
Stevenson theksoi se Franklin kishte bërë “një sasi të madhe pune bazë” për zbulimin e spirales së dyfishtë, por ishte “lënë plotësisht pas dore”.
“Watson vinte dhe dëgjonte leksionet e saj në King’s, i shkruante të gjitha dhe më pas kthehej në Kembrixh për të përdorur atë punë në arritjet e tyre të jashtëzakonshme imagjinative”, tha Stevenson duke shtuar: “Kjo nuk është për të minimizuar arritjet e tyre, por ata i detyroheshin shumë asaj”.
Ajo shtoi se gjatë studimeve në King’s College, Franklin, si shumë gra të tjera në atë kohë, nuk lejohej të hynte në dhomën e përbashkët të kolegjit, pavarësisht statusit të saj si shkencëtare. “Ajo ishte praktikisht e përjashtuar nga jeta e kolegjit… ishte e mjerë atje”, tha Stevenson.
Sot, Franklin vlerësohet si një nga figurat kyçe në zbulimin e spirales së dyfishtë të ADN-së.
Stevenson, 68 vjeç, një nga aktoret më të njohura britanike, tha se ishte “e mrekullueshme” që emri i Franklin tani është “një pjesë shumë e rëndësishme e historisë”. Por shtoi se nuk mendonte që ishte Nicole Kidman ajo që duhej të merrte meritat për këtë njohje.
Stevenson shtoi se ndoshta ishte “e parëndësishme” nga ana e saj që po ankohej, por ndjeu nevojën të vërë në dukje kontributin e hershëm në njohjen e figurës së Franklin.