Një ditë më parë, Dea Vieri ka qenë në një lidhje direkte nga Greqia me emisionin “Live From Tirana”. Moderatorja ka folur për pushimet e saj tani në shtator si dhe ka treguar detaje nga jeta e saj private.
Gjatë kësaj bisede me Ronaldo Sharkën, ish-banorja e edicionit të tretë të “Big Brother VIP” bëri edhe disa dallime mes plazheve të Greqisë dhe atyre të jugut të Shqipërisë.
“A ndodh në Greqi ajo shfaqja që bëhet në jug të Shqipërisë, me çuna me makina të shtrenjta dhe vajzat që bëjnë sfilatë sikur janë në Milano Fashion Week?”, ishte pyetja drejtuar Deas nga Ronaldo.
Moderatorja u shpreh se deri tani nuk ka parë një gjë të tillë.
“Ndoshta ka në këto vendet që janë posaçërisht për këtë, në Mykonos. Por në këto plazhet që kemi vendosur të pushonim qetësisht, jo. Makina të mira ka patjetër, por në plazh janë të gjithë njerëzit shumë të qetësuar, shumë rehat, as nuk të vë re njeri se çfarë ke veshur, apo syzet, e të gjitha këto me radhë. Dhe mua më pëlqen në fakt kjo atmosfera, sepse edhe mua më bën të qetësohem pak. Se do apo nuk do, unë kur jam në Shqipëri, dua dhe unë të dukem sa më mirë”, tha Dea Vieri.