Aktorja e njohur amerikane, Anne Heche, duket se nuk ka shpresa për të mbijetuar, pasi u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik.

Miqtë dhe familjarët e saj kanë treguar se si është gjendja shëndetësore e 53-vjeçares. Sipas tyre, ajo është në koma dhe ka dëmtim të rëndë anoksik të trurit (kur truri nuk furnizohet me oksigjen).

“Duam t’ju falenderojmë që u lutët për shërimin e Anne, falënderojmë stafin e përkushtuar dhe infermierët e mrekullueshëm”, deklaruan ata.

Mediat e huaja shkruajnë se ish-partnerja e gazetares së famshme, Ellen DeGeneres, është në gjendje kome dhe kritike. Ajo do të mbahet në jetë me aparatura për të përcaktuar nëse organet e saj janë të përshtatshme për dhurim, sipas dëshirës së Heche.

Ndërkohë policia amerikane ka zbuluar se nga një test paraprak është gjetur drogë në gjakun e saj. Por pritet që të bëhen edhe analiza të tjera.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur më 5 gusht, ku makina e saj u përplas në një shtëpi dykatëshe në Los Angeles dhe u përfshi nga flakët.

“Automjeti i Heche u përfshi nga flakët pasi përfundoi brenda një banese dy-katëshe, duke e bërë pronën të pabanueshme”, njoftoi policia.

53-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, ka luajtur në filma përfshirë Donnie Brasco, Cedar Rapids dhe Psycho të vitit 1998.