Influencuesja e njohur, Alix Earle, ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet pas një deklarate të pazakontë për marrëdhënien e saj me librat. 25-vjeçarja u përfshi në një intervistë me kryeredaktorin e “Interview Magazine”, Mel Ottenberg, ku iu drejtuan një sërë pyetjesh të shpejta.

Në momentin që u pyet se cili ishte libri i fundit që kishte lexuar, Earle u përgjigj:

“Nuk kam lexuar kurrë një libër. Ndoshta Dr. Seuss?”

Përgjigjja e saj u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe shkaktoi reagime të ndryshme. Disa përdorues e kritikuan, ndërsa të tjerë e morën deklaratën me humor. Një pjesë e komentuesve u shprehën të habitur duke pasur parasysh se Earle ka përfunduar universitetin. Ajo është diplomuar në vitin 2023 në University of Miami me një diplomë në administrim biznesi.

“People” raportoi se deklarata e saj u kthye në një debat në rrjet, ndërsa një postim i PopCrave me videon e influenceres arriti më shumë se 460 mijë shikime. Disa përdorues e kritikuan për mënyrën se si e paraqiti faktin që nuk kishte lexuar kurrë një libër, ndërsa të tjerë e mbrojtën duke e konsideruar thjesht një përgjigje spontane.

Edhe Earle reagoi ndaj vëmendjes së krijuar. Ajo shpërndau në Instagram Story një postim që komentonte deklaratën e saj dhe shkroi: “This is sending me”, duke treguar se ishte në dijeni të reagimeve që kishte shkaktuar. Alix Earle është një nga influencueset më të njohura të gjeneratës së saj dhe ka miliona ndjekës në rrjetet sociale “Instagram” dhe “TikTok”. Ajo është gjithashtu pjesë e reality-show-t të Netflix, “Earle Meets World”.