Një refugjate ukrainase, e cila u lidh me kryefamiljarin që e priti në shtëpinë e tij në Britaninë e Madhe, ka mbrojtur edhe njëherë veten duke thënë se “nuk ka vjedhur askënd”.

Madje 22-vjeçarja, Soffia Karkadym, ka shtuar se marrëdhënia e tyre është “e vërtetë dhe e mrekullueshme”.

E reja iku nga Lviv i Ukrainës që prej disa muajsh është nën pushtimin rus, për t’u transferuar në shtëpinë e 29-vjeçarit, Tony Garnett dhe bashkëshortes së tij, Lorna.

Çifti jetonte së bashku me dy fëmijët e tij në Bradford. Ndërkohë Sofiia iu bashkua atyre në fillim të muajit maj.

Kur kaluan 10 ditë nga qëndrimi i saj në shtëpinë britanike, ajo u largua së bashku me të zotin e shtëpisë, duke u transferuar në shtëpinë e prindërve të tij.

Të gjithë u habitën kur u përhap lajmi se si refugjatja ukrainase i kishte ‘rrëmbyer’ bashkëshortin zonjës që i hapi dyert e shtëpisë. Lidhur me këtë, Garnett është shprehur se ka rënë në dashuri me 22-vjeçaren dhe dëshiron të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij me të.

Nga ana tjetër, Karkadym, ka vendosur që të reagojë sërish në lidhje me të gjitha kritikat që ka marrë në lidhje me romancën me 29-vjeçarin. Ajo ka bërë një postim  në “Instagram” , ku ka shpalosur disa fakte të kësaj çështjeje sipas saj.

Ajo shprehet se kur Garnett vendosi që linte gruan e tij, ai ishte i “vetëdijshëm”dhe se një 29-vjeçar ka të “drejtë të bie në dashuri”. E reja mohoi se kishte “vjedhur” dikë dhe sulmoi mediat për mënyrën se si e kanë raportuar historinë.

Sipas saj, mediat e kanë “ekzagjeruar dhe e kanë shkruar në mënyrë që të ishte sa më dramatike”.

“Më në fund, vendosa të shkruaj një postim për ngjarjet e fundit me famë botërore. Gjëja e parë që dua të them është se nuk kam vjedhur askënd nga familja. Ishte vendimi i tij i ndërgjegjshëm dhe i menduar, vendimi i një 29-vjeçari që ka të drejtë të dashurohet, ka të drejtë të jetë i lumtur dhe ka të drejtë të zgjedhë me kë të jetë.

Gjëja e dytë që dua të trajtoj është koncepti i “shtypit të verdhë”. A mendoni vërtet se dikush mund të rrëmbehet nga një familje e lumtur në 10 ditë? Pse kaq shumë vëmendje ndaj historisë sime, nëse është qartësisht e ekzagjeruar dhe e shkruar në mënyrë të tillë që të jetë sa më dramatike?

Anthony dhe unë jemi mirë. Prandaj, ata që më mbështetën që në fillim dhe e dinin se pas çdo veprimi tim fshihet diçka e vërtetë dhe e mrekullueshme – faleminderit. Pjesa tjetër – do të zhgënjeheni në gjykimet tuaja ;)”, ka shkruar 22-vjeçarja në “Instagram”.

Karkadym ka këmbëngulur më herët se nuk ishte fajtore për prishjen e marrëdhënies së çiftit. Për “The Sun” ajo tha: “Kjo nuk më ka shkuar kurrë në mendje. Më pëlqeu familja. Kalova shumë kohë me Lornën dhe u përpoqa ta ndihmoja. Por ajo ishte me dy fytyra”.