Ish-producenti i njohur i Hollywood-it, Harvey Weinstein, është dënuar me 15 vite burg nga një gjykatë në Nju Jork, pasi u shpall fajtor për sulmin seksual ndaj ish-asistentes së produksionit, Miriam Haley, në vitin 2006. Vendimi u dha të mërkurën, pas një procesi gjyqësor që është zgjatur për më shumë se gjashtë vite.
Në deklaratën e saj para gjykatës, Haley tha se sulmi kishte pasur një ndikim shkatërrues në jetën dhe ndjenjën e saj të sigurisë. Ajo u shpreh se pasojat e ngjarjes mund të mos zhduken kurrë dhe se vendimi për të folur publikisht e ka bërë të ndihet e kërcënuar për vite me radhë.
Weinstein, 74 vjeç, u paraqit në gjykatë në një karrige me rrota. Ai kërkoi falje për dhimbjen që mund t’u ketë shkaktuar të tjerëve, por vijoi të këmbëngulë se është i pafajshëm dhe pritet ta apelojë vendimin.
Rasti lidhet me akuzën se Weinstein e kishte sulmuar seksualisht Haley-n në apartamentin e tij në Manhattan në vitin 2006. Një juri e shpalli fajtor për këtë vepër në rigjykimin e zhvilluar vitin e kaluar.
Weinstein ishte dënuar fillimisht në vitin 2020 me 23 vite burg, pasi ishte shpallur fajtor për sulmin ndaj Haley dhe për përdhunimin e aktores aspirante Jessica Mann. Megjithatë, në vitin 2024, Gjykata e Lartë e Nju Jorkut e anuloi atë dënim dhe urdhëroi një rigjykim, duke arsyetuar se në proces ishin lejuar dëshmi për akuza të tjera që nuk ishin pjesë e çështjes.
Në rigjykimin e vitit 2025, Weinstein u shpall sërish fajtor për veprën ndaj Haley-t, ndërsa juria nuk arriti një vendim për akuzën e përdhunimit ndaj Jessica Mann. Më pas, prokuroria hoqi dorë nga ajo akuzë, duke i hapur rrugë dënimit të sotëm.
Weinstein ka kaluar tashmë më shumë se gjashtë vite në burg për shkak të proceseve dhe vendimeve të ndryshme gjyqësore. Ai gjithashtu përballet me një çështje të veçantë në Los Angeles, ku është shpallur fajtor për përdhunim dhe pritet të përballet me rishqyrtimin e dënimit.
