Mbrëmjen e djeshme Tan Brahimi ka rrëfyer për banorët momentin më të vështirë në jetën e tij. Aktori i humorit ka treguar se si ka bërë aksident me makinë, ku ai ka qenë shofer dhe prindërit e tij pasagjerë.
Nëna dhe babai i aktorit kanë ndërruar jetë, ndërsa aktori fatmirësisht ka shpëtuar. Tani tha se ka qenë viti 2013 dhe ka qenë 26 vjeç.
Brahimi shtoi gjithashtu se aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së tij dhe shoferit të kamionit që i ka dalë përpara.
Por jo vetëm kaq, pasi Tani rrëfen se ndihet fajtor dhe nuk i bëhet as të shkojë te varri i tyre. Aktori shtoi se u kishte thënë se nuk donte të shkonte, se mos u ndodh gjë dhe i ngelte peng.
“Peng i madh koha. Nuk më bëhet të shkoj as te varri. Më duket sikur pas pilafit si i thonë asaj. E kam pranuar realitetin. Normal që ndihem fajtor. Ata donin me ikë te daja, baba ishte me diabet e nuk shikonte mirë për rrugë të gjata, se ai e ngiste makinën, makina e tij ishte. U çuan herët dhe më thanë hajde na ço te daja. Përtoja me u çuar në 6 të mëngjesit. I thashë jo nuk jam duke ardhur. Hajde më tha nëna. Ju thashë ‘po iu ndodh gjë, po më ngel peng’. E shkova dhe e bëra vetë, me ndodhi mua”, rrëfen Tani.