Aktorja kanadezo-amerikane Pamela Anderson ka deklaruar se nuk është në kërkim të një historie të re dashurie. Në moshën 58-vjeçare, ajo thotë se ndihet e plotësuar edhe pa një partner në krah.
Në një intervistë për Another Magazine, Anderson u shpreh se kjo është një fazë ku dëshiron të përqendrohet vetëm te vetja. “Dua vetëm ta liroj dragoin. Nuk kam nevojë që askush të më pengojë. Kjo ndodh në periudha të ndryshme të jetës, dhe ky është momenti im,” tha ajo.
Ajo citoi edhe një thënie që ia atribuon Osso-s: “Aftësia për të qenë vetëm është aftësia për të dashur. Këtu jam tani.” Megjithatë, Anderson pranon se flirtet e herëpashershme mbeten pjesë e lojës. Sipas saj, një ftesë për darkë apo një bisedë për të ardhmen mund të jetë emocionuese, por pa krijuar detyrime afatgjata.
Gjatë viteve, Anderson është martuar pesë herë, përfshirë me muzikantin Tommy Lee, artistin Kid Rock, producentin Rick Salomon (dy herë) dhe truprojën Dan Hayhurst. Në intervistë, ajo riktheu vëmendjen edhe te periudha e saj në serialin legjendar Baywatch dhe eksperiencën me Playboy, duke pranuar se në atë kohë është ndier e nënvlerësuar dhe e shfrytëzuar.
“Nuk jam e pafajshme. Isha bashkëpunëtore, sepse në fillim të karrierës sime dhe në jetën personale ndodhte një lloj shfrytëzimi dhe unë pranova rolin që më ishte dhënë. Thosha: ‘Kjo jam unë’. Njerëzit rreth meje më nënvlerësonin,” u shpreh ajo.
Aktorja theksoi se iu deshën vite për të ndryshuar mënyrën si e shihte veten. Sot, ajo thotë se e di që nuk e meritonte atë trajtim, por në atë kohë po përpiqej thjesht të mbijetonte. “U divorcova dhe nuk mora asnjë kompensim. Nuk u mbështeta te askush,” përfundoi Anderson.






