Komedianja dhe prezantuesja e njohur amerikane, Nikki Glaser, ka folur hapur për natyrën e marrëdhënies së saj sentimentale, duke zbuluar se ajo dhe partneri i saj kanë një lidhje jo monogame me rregulla të qarta.

Në një intervistë të fundit në podkastin “Call Her Daddy”, të moderuar nga Alex Cooper, Glaser u shpreh se nuk do ta kishte problem nëse partneri i saj do të kishte marrëdhënie me gra të tjera.

“Realisht nuk më intereson nëse i dashuri im do të kishte diçka me dikë tjetër”, deklaroi ajo.

Glaser është në një lidhje afatgjatë me producentin televiziv, Chris Convy, me të cilin ka pasur një raport me ulje dhe ngritje që nga viti 2013. Dyshja u njohën gjatë bashkëpunimit në emisionin “Nikki & Sara Live” në MTV.

Megjithatë, ajo theksoi se marrëveshja në çift nuk është e njëjtë për të dy palët. Sipas saj, ajo vetë nuk është e interesuar për aventura jashtë lidhjes.

“Kjo nuk është rrugë me dy drejtime. Unë nuk jam tipi që kërkon eksperienca të tilla kur jam në një lidhje, por nuk e kam problem nëse pala tjetër e bën. Madje, në një farë mënyre, më pëlqen”, u shpreh ajo.

Glaser pranoi gjithashtu se ideja që partneri i saj mund të jetë me gra të tjera e tërheq edhe në aspekt intim, duke e përshkruar si pjesë të fantazive të saj.

“Kam qenë gjithmonë e intriguar nga kjo ide. Bisedat për ish-partneret e tij apo përvojat e tij më kanë shërbyer si një lloj paralojë”, tha ajo.

Pavarësisht natyrës së hapur të marrëdhënies, ajo nënvizoi rëndësinë e transparencës dhe respektit ndaj palëve të treta. Sipas saj, partneri duhet gjithmonë të informojë personat e tjerë për statusin e tij në një lidhje.

“Është e rëndësishme që çdo person tjetër ta dijë që ai ka një partnere dhe që kjo është diçka për të cilën unë jam në dijeni dhe pajtohem”, theksoi Glaser.

Kjo nuk është hera e parë që ajo trajton publikisht temën e jo monogamisë. Më herët, ajo ka diskutuar mbi këtë çështje edhe me Gwyneth Paltrow në “The Goop Podcast”, duke u shprehur se ndihet e sigurt në marrëdhënien e saj dhe nuk përjeton xhelozi ndaj partnerit.