Motra e këngëtares me famë botërore, Celine Dion, Claudette, ka ndarë një tjetër lajm lidhur me gjendjen shëndetësore të yllit, e cila vuan nga sindroma Stiff-Person, një çrregullim i rrallë i lëvizjes autoimune që prek sistemin nervor qendror (trurin dhe palcën kurrizore).

Duke folur për ‘Le Journal de Montréal’, Claudette Dion rrëfeu se motra tjetër e tyre Linda është shpërngulur në shtëpinë e Celine dhe jeton aty bashkë me tre djemtë e saj, René-Charles, Eddy dhe Nelson.

75-vjeçarja tregoi po ashtu se këngëtarja po konsultohet me disa nga studiuesit më të mirë të fushës.

“Kur e telefonoj dhe ajo është e zënë, flas me motrën time Linda që jeton me të dhe ajo më thotë se po punon shumë. Sinqerisht mendoj se ajo më së shumti ka nevojë të pushojë. Ajo gjithmonë përpiqet të jetë më e mira. Në një moment, zemra dhe trupi juaj po përpiqen t’ju thonë diçka. Dëgjojeni”, ka thënë Claudette për “Le Journal de Montreal”.

Motra e yllit 55-vjeçar vazhdoi duke thënë se Celine Dion po punon jashtëzakonisht shumë për të ruajtur shëndetin e saj fizik dhe për t’iu rikthyer performancës në të ardhmen.

Duke diskutuar për rehabilitimin e saj, ajo shtoi: “Ne i besojmë asaj. Është e lindur, ajo është e disiplinuar në çdo fushë të jetës së saj… Nuk mund të gjejmë asnjë ilaç që funksionon, por shpresa është e rëndësishme.”

Ndërkohë kujtojmë se në tetor të vitit 2021, këngëtarja me famë botërore tronditi fansat e saj duke zbuluar diagnozën e saj shëndetësore dhe duke deklaruar se do t’i duhej të shtynte shfaqjet e saj në Las Vegas.

Në janar të vitit 2022, 55-vjeçarja anuloi turneun botëror të Courage në Amerikën e Veriut për të njëjtën arsye, duke thënë: “Unë me të vërtetë shpresoja se do të isha mirë të shkoja deri tani, por mendoj se thjesht duhet të jem më e durueshme dhe të ndjek regjimin mjekët më përshkruajnë”.