Videoja paralajmëruese për muzikalin “Kiss Of The Spider Woman” me protagoniste Jennifer Lopez ka marrë shumë lëvdata vetëm pak orë pas publikimit të tij. Ky është debutimi i parë i Lopez në një film muzikal dhe në trailer ajo mund të dëgjohet duke kënduar një nga këngët më të famshme të muzikalit, “Where You Are”. I gjithë muzikali është në frymën e estetikës së vjetër të Hollivudit.

Vetë Lopez tha më parë se roli i saj në “Kiss Of The Spider Woman” ishte roli më sfidues dhe më shpërblyes që ka pasur ndonjëherë. “Është një histori e errët, por edhe një histori për dashurinë dhe mbijetesën, për ndihmën ndaj njëri-tjetrit në kohë të vështira. Mendoj se ky është një mesazh që na duhet vërtet tani”-tha Lopez më parë.

Është një film muzikal i drejtuar nga Bill Condon, në të cilin, përveç Jennifer Lopez, rolet kryesore i luajnë Tonatiuh Elizarraraz dhe Diego Luna. Artists Equity, Barry Josephson, Tom Kirdahy dhe Greg Yolen janë producentë, ndërsa Jennifer Lopez, Ben Affleck dhe Matt Damon janë renditur si bashkëproducentë.

Në adaptimin filmik, i cili bazohet në muzikalin skenik të vitit 1993 nga Terrence McNally, John Kander dhe Fred Ebb, Lopez luan rolin e Ingrid Lunës, një divë e filmave fantastikë, roli më i njohur i së cilës është ai i Gruas-Merimangë, e aftë të vrasë të dashuruarit e saj me një puthje. Ngjarja zhvillohet në vitin 1981 gjatë luftës në Argjentinë. Filmi muzikal u shfaq premierë në Festivalin e Filmit Sundance në janar të këtij viti dhe është planifikuar të dalë në kinema më 10 tetor.