Një moment i papritur i ka ndodhur Meryem Uzerlit gjatë qëndrimit në një hotel në Ortaköy të Turqisë. Aktorja po qëndronte në dhomën e saj kur papritur dëgjoi disa zëra që vinin nga dhoma ngjitur. Në fillim mund të dukej si një situatë krejt e zakonshme por shumë shpejt Uzerli kuptoi diçka që e bëri të kthehej pas në kohë.
Nga dhoma tjetër po dëgjohej pikërisht “Sulejmani i Madhërishëm”, seriali ikonik që e bëri atë të famshme në mbarë botën në rolin e Sulltaneshës Hyrrem. Meryem nuk mundi ta linte pa e regjistruar momentin. Ajo ndezi kamerën e telefonit dhe tregoi me humor se çfarë po ndodhte në dhomën pranë saj. Por surpriza nuk mbaroi aty.
Pas pak çastesh, aktorja mori një vendim spontan. Shkoi drejt derës së dhomës dhe trokiti! Kur dera u hap, Meryem u prezantua dhe u tregoi se kishte dëgjuar se po shihnin “Sulejmani i Madhërishëm”. Personi që ndodhej brenda mbeti i befasuar kur kuptoi se përballë kishte pikërisht Hyrremin e vërtetë. Meryem Uzerli e regjistroi të gjithë momentin dhe më pas e ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale.



