Shania Twain ka ndarë një rrëfim të sinqertë për sfidat që ka kaluar me menopauzën dhe mënyrën se si ka mësuar të pranojë ndryshimet që vijnë me kalimin e viteve.

Në një intervistë për “People”, këngëtarja u shpreh se sot e vendos mirëqenien dhe shëndetin mbi çdo standard estetik, duke pranuar se rruga drejt këtij pranimi nuk ka qenë e lehtë.

Artistja zbuloi se menopauza ndikoi edhe në incidentin e ndodhur gjatë një koncerti në Las Vegas në vitin 2019, kur u lëndua në skenë dhe iu desh të largohej para përfundimit të performancës.

Sipas saj, më pas rezultoi se kishte këputur dy muskuj në kofshë, ndërsa gjendja u rëndua edhe nga dehidratimi, mungesa e proteinave dhe kripës në organizëm, si edhe vështirësia për t’u përshtatur me klimën e nxehtë të Nevadës.

Twain tregoi se dikur e kishte të vështirë të pranonte ndryshimet fizike që po kalonte, pasi nuk e shihte më në pasqyrë gruan që kishte njohur për vite me radhë. Sot, megjithatë, ajo thotë se ka ndryshuar këndvështrim dhe se prioriteti i saj kryesor është shëndeti.

Mirëqenia vjen gjithmonë e para

-u shpreh këngëtarja.

Ajo theksoi se nuk ndien më nevojën të rikthehet te pamja që kishte në rininë e saj.

Nuk po përpiqem të jem 30 vjeç. Nuk po përpiqem të jem 25 vjeç dhe nuk do të jem më kurrë. Dua t’i inkurajoj të gjithë ta shijojnë veten ashtu siç janë dhe ta duan trupin e tyre në çdo fazë të jetës

-deklaroi ajo.

Duke folur për plakjen, Shania tha se është përpjekur të përshtatet me çdo etapë të re. Si shembull solli pasionin e saj për tenisin, duke shpjeguar se sot e luan ndryshe për të mos e ngarkuar trupin si më parë.

Artistja shtoi gjithashtu se komentet negative për pamjen e saj nuk e prekin më.

Trupi im nuk është diçka për të cilën duhet të turpërohem. Me kalimin e viteve dhe pjekurinë vjen edhe guximi për ta pranuar veten ashtu siç je

-përfundoi ajo.