Një ditë më parë ishte i ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, gazetari Bledi Mane, i cili dha një mendim për shqiptarët që bëjnë si homofobë.
Gjatë fjalës së tij, Mane përmendi edhe pastorin Akil Pano, për të clin tha se i vjen keq për të.
“Më vjen keq për pastorin Akil Pano, ka marrë flamurin e homofobizmit dhe është diçka që në mos një ditë, një ditë tjetër do ketë një lloj kostoje. Po t’i vësh re thellë-thellë, këta që ulërasin paradite, këta bëjnë namin e zi nga darka. I ke homoseksualët më të zjarrtë. Është teori e vjetër e kristianizmit, bëj zhurmë për të larguar vëmendjen dhe pastaj futu aty tek bodrumi dhe bëj namin. Kështu që, nuk i takon një pastori, nuk i takon një imami, një prifti, një gazetari që të bëjë këtë rol”, tha gazetari i njohur.
Lidhur me këtë deklaratë, Akil Pano ka bërë një reagim të gjatë në llogarinë e tij në “Facebook”, i cili shkruan: “Bled ti e di që të du fort! Edhe ata e dinë! Por më shumë dua të vërtetën, lirinë, Shqipërinë”.
Më pas Pano i thotë se nuk po i përgjigjet siç e meriton, pasi e kanë bërë të tjerë më parë.
“I dashur Bledi! Nëse ndonjëherë do të ndërtosh familje dhe Zoti do të japë bekimin e të pasurit fëmijë, duhet ta dish që beteja ime dhe e Koalicionit Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës është dhe për fëmijët e tu.
Për çdo fëmijë, nënë dhe baba. Për gjakun e pafaj që të shiturit e këmbyen për 30 monedha pushteti. Paradoksi mbetet real përgjatë dy mijë viteve histori”, shkruan ndër të tjera pastori i njohur.

Postimi i plotë i pastorit në “Facebook”:
Dy fjalë për Bledi Manen
Kur e dëgjova që më kishte përmendur dje, jo vetëm mua personalisht, por në aludimet e tij shumë njerëz të mirë, m’u kujtua batuta nga filmi i Kinostudios Shqipëria e Re me titull:
Asgjë nuk Harrohet:
Dhe batuta ‘legjendë’ është:
“Qëllove si kalama o Mane!”
Bled ti e di që të du fort! Dhe ata e dinë! Por më shumë dua të vërtetën, lirinë, Shqipërinë.
Nuk po të përgjigjem siç e meriton! E kanë bërë të tjerë më parë! E ke parasysh! Unë do të jap atë që ti nuk e ke parasysh dhe që kisha përgjatë dy mijë viteve e quan hir, në greqishten e vjetër të shkrimit të Dhjatës së Re. Është fjala ’HARIS’ që do të thotë ‘favor i pamerituar’ dhe në Shqipen tonë përkthehet ‘Hir.’
Pavarësisht se ti e ke të vështirë ta kuptosh këtë gjuhë megjithëse do të doje, unë s’mund të jap asgjë të një lloji tjetër. Kishte të drejtë Hajdegeri kur foli për gjuhën si ‘shtëpia e shpirtit!’ Nuk duhet të të hidhërojë ky fakt. Përkundrazi, kjo gjuhë hiri do të jetë një farë e mirë që mund të çelë në ty sythe shprese. Jeta mund të lindë dhe në vendet më të pazakonta dhe se ‘nata më e errët do të kalojë’, siç tha dhe Hygoi i madh dhe ‘drita do të lindë.’
Britma në sheshin Skënderbej është manifest lirie. Thirrje në mesnatën e errët. Nënat dhe baballarët këlthasin të mbrojnë fëmijët e tyre. Shpirtrat që i dëgjojnë dhe bashkohen ende janë zgjuar, jetojnë.
I dashur Bledi! Nëse ndonjëherë do të ndërtosh familje dhe Zoti do të japë bekimin e të pasurit fëmijë, duhet ta dish që beteja ime dhe e Koalicionit Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës është dhe për fëmijët e tu.
Për çdo fëmijë, nënë dhe baba. Për gjakun e pafaj që të shiturit e këmbyen për 30 monedha pushteti. Paradoksi mbetet real përgjatë dy mijë viteve histori.
Për pak para që prishet dhe pushtet që s’ka bërë kërkënd të përjetshëm, miku është bërë armik dhe vëllai një i huaj. Njeriu është arratisur nga qenia, frekuencat e ulta të përkohëshmërisë kanë zëvendësuar të përjetëshmet! Instiktet dhe ambicjet profane, janë ulur mbi fronin e ndërtuar për virtutin.
Dhe Juda gdhendi emrin në histori si bir i humbjes. Juda nuk mund të kishte tradhëtuar asgjë më shumë! Sepse asgjë më shumë nuk kishte. Asgjë më shumë nuk ka për të tradhëtuar se ajo që është dhe duhet të mbetet e pa konceptuar (prekur) nga e keqja në një komb; fëmijët!
Mbase një ditë fëmijët e tu do t’i jenë mirënjohës pastorit dhe koalicionit që luftoi dhe për ata. Por nëse nuk do ta bëjnë, ka gjasë edhe t’i ngjajnë babit të tyre, unë prapë do t’i dua dhe do të lutem për ta, nga një vend më i mirë ku dielli s’perëndon dhe natë s’do të ketë.
Ps. Nuk e kemi me askënd që e ka me veten. E kemi me të gjithë që e kanë me fëmijët. #akilpano.


