Kantautori 76-vjeçar Billy Joel ka anuluar të gjitha datat e ardhshme të turneut pas diagnostikimit me Hidrocefalinë me Presion Normal (NPH), një gjendje e rrallë që shkaktohet nga grumbullimi i lëngut në tru dhe sjell probleme me dëgjimin, shikimin dhe ekuilibrin. Në një deklaratë, Joel njoftoi se po merr kujdes të shkëlqyer dhe është plotësisht i përkushtuar të përqendrohet në shëndetin e tij. Ai ka anuluar 17 shfaqje për vitet 2025 dhe 2026, përfshirë koncertet në Murrayfield (Edinburg) dhe Anfield (Liverpool).

Megjithatë, tani, miku i tij i ngushtë dhe prezantuesi i radios Howard Stern ka ndarë më shumë informacione në lidhje me gjendjen e Billy Joel. “Billy ka disa probleme, por ai tha: ‘Po, mund t’u thoni njerëzve, nuk po vdes’. Ai do që njerëzit ta dinë këtë,”-tha Howard Stern. Stern gjithashtu zbuloi se ata kishin kaluar kohë së bashku duke ngrënë darkë dhe se, përkundër problemeve shëndetësore, Joel ishte në humor të mirë dhe madje kishte luajtur në gitarë.

Sipas këshillave të mjekut të tij, Billy Joel është duke ndjekur terapitë fizike speciale dhe është këshilluar të shmangë çdo performancë gjatë periudhës së rikuperimit. Sipas Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS), kjo është një gjendje e rrallë që zakonisht prek individë mbi 60 vjeç. Diagnoza mund të jetë e vështirë, pasi simptomat përfshijnë probleme me lëvizshmërinë dhe demencën. Kujtojmë se Billy Joel ra papritur gjatë një performance në kazinon “Mohegan Sun” në Montville. Pas këtij incidenti, ai e shtyu një pjesë të koncerteve deri në korrik të këtij viti, por duke qenë se ende është në fazën e rikuperimit, ai ka shtyrë edhe koncertet e tjera.