Gjatë emisionit të së hënës, më 27 prill, Jimmy Kimmel reagoi për herë të parë ndaj polemikës së krijuar pas një shakaje që kishte bërë për Melania Trump.
Moderatori i Jimmy Kimmel Live! sqaroi se komenti i transmetuar më 23 prill ishte vetëm një “shaka e lehtë” dhe nuk kishte për qëllim të nxiste urrejtje apo dhunë, siç u interpretua nga disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe vetë Melania Trump.
Megjithatë, ai e bëri të qartë se nuk kërkoi falje për vetë shakanë.
Kimmel foli gjithashtu për incidentin e ndodhur gjatë White House Correspondents’ Dinner, ku një situatë me armë zjarri shkaktoi tension dhe frikë mes të pranishmëve.
Jam i keqardhur që ju dhe të gjithë në atë sallë kaluat një situatë të tillë
-u shpreh ai gjatë monologut, duke theksuar se një batutë e bërë disa ditë më parë nuk mund të lidhet me ngjarje kaq serioze.
Reagimet ndaj tij erdhën pasi si Melania Trump ashtu edhe Donald Trump e kritikuan ashpër, duke i cilësuar komentet si të papërshtatshme. Trump madje kërkoi publikisht largimin e moderatorit nga televizioni.
Nga ana e tij, Jimmy Kimmel mbrojti qëndrimin, duke theksuar se ka qenë gjithmonë kundër dhunës me armë dhe se deklaratat e tij janë keqinterpretuar.
Ndërkohë, Jimmy Kimmel Live! vazhdon transmetimin normalisht çdo mbrëmje në ABC.
