Eftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë nutricionistja Tea Brame. Ajo ka folur më shumë mbi urinë emocionale dhe si ndikon ushqimi që ne konsumojmë tek ankthi apo depresioni…
Cilat janë ushqimet që na shtojnë ankthin?
Ankthin do na e shtojnë gjithmonë ushqimet që kanë yndyrna të ngopura dhe këto yndyrna i referohemi ushqimeve të skuqura, fast food-eve kryesisht. Si ndikojnë këto? E para, yndyrnat e ngopura nuk na ndihmojnë ne që të kemi një balancim normal të hormoneve, gjë që do të rrisë përsëri këtë hormonin e stresit që na krijon ankthin dhe depresionin. Kafeina po ashtu, kafja e mëngjesit. Asnjëherë mos e pini kafen esëll në mëngjes, për një arsye. Trupi në mëngjes kur ne zgjohemi, ka një sasi shumë të lartë të kortizolit, sepse kortizoli na ndihmon që ne të zgjohemi e të jemi aktivë. Kur ne i shtojmë kafeinën organizmit tonë, e dyfishojmë sasinë e kortizolit dhe kalon trupi në një gjendje pothuajse adrenaline. Adrenalina në trupin e njeriut prodhohet në momentin që ndjen rrezikshmëri, ose do të bëjë një aktivitet. Pra duhet të jetë gati, është një stimul për aktivitetin. Dhe duke marrë parasysh që ne nuk kemi ndonjë aktivitet të jashtëzakonshëm për të bërë gjatë ditës, është një lloj adrenaline që mbartet në organizëm dhe na krijon pastaj ndjenjat e ankthit, dridhjen trupore, pagjumësinë. Pagjumësia më pas shkakton gjithashtu ankth. Kafeina e lartë në organizëm na sjell pagjumësi kryesisht.