I ftuar në “Big Brother Radio” me Atalanta Kërçyku në Top Albania Radio ka qenë Ols Abazi. Producenti dhe ish-banori i këtij edicioni, u eliminua të shtunën e kaluar duke përfunduar kështu rrugëtimin e tij në Big Brother. Në këtë intervistë, ai bëri një analizë më të hollësishme rreth dinamikave brenda shtëpisë, lojës së banorëve dhe për të dhënë mendimin për videot më të spikatura gjatë 24 orëve të fundit në shtëpinë e BBV.
Si qëndron për të fakti se tashmë po e shikon Big Brother si publik?
Këtë Big Brother unë e shoh si publik, por nuk arrij dot ta shoh vetëm si publik. I njoh pak a shumë personazhet nga brenda. Njoh edhe në një kuptim, në qoftë se mund ta quaj, prapaskenën e gjithsecilit se çfarë bën, si vepron dhe përse e bën atë që bën. Gjithsesi janë rritur pak tonet dhe është agravuar pak situata.
A ka ndodhur kjo pas largimit të tij nga shtëpia?
Mund të quhet edhe kështu dhe në një kuptim bëra mirë që u largova që mundën banorët të nxjerrin shpatat ashtu siç prisnin që t’i nxirrnin. Pjesa më e madhe e atyre brenda po krijon konfliktet e veta sepse në fund të ditës populli do konflikt dhe ato janë aty për ta bërë këtë gjë. Në këtë Big Brother ka edhe momente koflikti, edhe momente paqe. Ata që duan të shohin konfliktin, do të shohin momentet e konfliktit, ndërsa ata që duan paqe shohin paqe.
Ndër të tjera, Atalanta e cilësoi atë si katalizator i situatave brenda shtëpisë. I pyetur se cila është ajo gjë që spektatorët nuk arrijnë të dallojnë dhe banorët aty brenda e kuptojnë më së miri, Ols Abazi u përgjigj:
Ndoshta kjo do të merrte kuptim nëse ne do të merrnim në analizë një personazh të caktuar. Është vështirë të flasësh në përgjithësi se çfarë është ndryshe. Një personazh që për mua është shumë i veçantë është Laerti, personazh për të cilin po ‘hedhin edhe baltë’ për të. Është një personazh që ka dritëhijet e veta. Ka disa pjesë të personalitetit të tij që ende nuk i ka treguar, të cilat unë doja që t’ja gërvishtja në një kuptim, por ai ka dashur kohën e tij dhe mesa shoh e do akoma kohën e tij.