Një eksperiment i pazakontë shkencor në Gjirin e Maine, në verilindje të Shteteve të Bashkuara, ka tërhequr vëmendjen pasi një pjesë e detit u ngjyros në rozë të ndezur. Megjithëse pamja krijoi përshtypjen e një ndotjeje, bëhej fjalë për një projekt të autorizuar që synonte të studionte mënyra të reja për të luftuar ndryshimet klimatike dhe acidifikimin e oqeaneve. Studimi u drejtua nga Instituti Oqeanografik Woods Hole, në kuadër të projektit LOC-NESS, i konsideruar si eksperimenti i parë i këtij lloji në det të hapur me miratimin e Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit.

Gjatë një operacioni gjashtëorësh, studiuesit hodhën mbi 16 mijë litra hidroksid natriumi me pastërti të lartë në një sipërfaqe prej rreth një kilometër katror. Substanca e përdorur nuk ishte zbardhuesi i zakonshëm shtëpiak, por një përbërës që përdoret rregullisht për rregullimin e pH-së së ujit të pijshëm.

Sipas shkencëtarëve, hidroksidi i natriumit reagon me dioksidin e karbonit të tretur në ujë, duke krijuar bikarbonat, një përbërje natyrale që mund të ndihmojë oqeanin të thithë më shumë CO₂ nga atmosfera dhe njëkohësisht të zvogëlojë acidifikimin që rrezikon koralet, molusqet dhe organizma të tjerë detarë.

Për të monitoruar lëvizjen e ujit të trajtuar, ekipi shtoi një ngjyrues fluoreshent të quajtur Rodaminë, i cili i dha detit ngjyrën karakteristike rozë. Vëzhgimet u kryen për pesë ditë me anije kërkimore, mjete nënujore autonome, dronë dhe satelitë, ndërsa u monitoruan vazhdimisht pH-ja, temperatura dhe kripësia e ujit.

Rezultatet paraprake treguan se nuk u vunë re ndryshime të rëndësishme te bakteret, fitoplanktoni, zooplanktoni, larvat e peshqve apo të karavidheve në zonën e trajtuar. Gjithashtu, niveli i pH-së u rikthye në vlerat normale brenda afatit të parashikuar. Studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar ndikimin afatgjatë të kësaj metode dhe nëse ajo mund të zbatohet në shkallë globale pa pasoja për ekosistemet detare.