Dita e Shën Valentinit e sotme është vendosur si një festë e dashurisë, romancës dhe përkushtimit. Megjithatë, rrënjët e kësaj feste moderne janë në të vërtetë të errëta, të përgjakshme dhe disi konfuze.
Edhe pse origjina e saktë e festës është e pasigurt, një pikënisje është Roma e lashtë. Atje, nga 13 deri më 15 shkurt, romakët festuan Lupercalia-n, një festival që kombinonte ritualet e pjellorisë dhe zakonet e dhunshme. Gjatë festivalit, burrat sakrifikonin një dhi dhe një qen dhe më pas përdornin lëkurat e kafshëve për të rrahur gratë me kamzhik. Sipas besimeve të asaj kohe, kjo praktikë besohej se rriste pjellorinë. Pjesëmarrësit shpesh ishin të dehur dhe gratë rreshtoheshin për të marrë rrahjet, duke besuar se kjo do të rriste shanset e tyre për tu ngjizur.
Festimi përfshinte edhe një lloj llotarie për të gjetur një partnere: të rinjtë nxirrnin emrat e grave nga një tenxhere dhe çiftet mbeteshin bashkë për kohëzgjatjen e festimeve ose më gjatë, nëse marrëdhënia zhvillohej.
Ekzekutimet e dy Shën Valentinit
Romakët e lashtë mund të jenë gjithashtu përgjegjës për emrin e festivalit modern të dashurisë. Perandori Klaudi II thuhet se ka ekzekutuar dy burra të quajtur Valentin më 14 shkurt të viteve të ndryshme në shekullin e 3-të pas Krishtit. Kisha Katolike më vonë nderoi martirizimin e tyre duke themeluar festën e Shën Valentinit.
Në shekullin e 5-të, Papa Gelasius I i përzieu gjërat duke bashkuar Ditën e Shën Valentinit me Lupercalia-n për të eliminuar ritualet pagane. Versioni i ri i festës ishte më shumë një riprodhim teatral i zbutur i ritualeve të vjetra, duke ruajtur ende simbolikën e pjellorisë dhe dashurisë.
Përafërsisht në të njëjtën kohë, Normanët festonin Ditën e Gallatinit, një fjalë që do të thotë “dashnor i grave”. Ngjashmëria fonetike e emrit ka të ngjarë të ketë kontribuar në ngatërresën dhe lidhjen e tij me Shën Valentinin.
Shekspiri dhe Hallmark
Gjatë shekujve, festa mori një karakter më romantik. Poetë dhe shkrimtarë si Geoffrey Chaucer dhe William Shakespeare kontribuan në romantizimin e saj, duke rritur popullaritetin e saj në Britani dhe në pjesën tjetër të Evropës. Gjatë Mesjetës, kartolinat prej letre të punuara me dorë u bënë simboli dominues i ditës.
Tradita u përhap më vonë në Amerikë kur Revolucioni Industrial mundësoi prodhimin masiv të kartolinave në shekullin e 19-të. Në vitin 1913, kompania Hallmark Cards në Kansas City filloi prodhimin masiv të kartolinave të Ditës së Shën Valentinit. Që atëherë, shkurti nuk ka qenë më kurrë i njëjtë
