Me jashtëqitje njerëzore të shpërndarë në mure dhe pacientë që dyshohet se janë përdhunuar, aktivistët thonë se ky është spitali më i rrezikshëm në botë. Spitali i vetëm psikiatrik i Guatemalës, Federico Mora Hospital, funksionon më shumë si burg sesa si spital, sipas një gjykate. Abuzimet e rënda u zbuluan mbi dhjetë vite më parë dhe gjykata urdhëroi që institucioni të ndalonte abuzimet e përhapura. U konstatua se 334 fëmijë dhe të rritur të mbyllur brenda ishin të ekspozuar ndaj abuzimeve fizike dhe seksuale, iu mohua kujdesi mjekësor dhe u ekspozuan ndaj sëmundjeve dhe infeksioneve “serioze dhe ngjitëse”.

Shumë prej tyre u infektuan me HIV, një problem i përkeqësuar nga “abuzimi seksual i përhapur në institucion”. “Era e urinës dhe jashtëqitjes është e padurueshme”, tha një aktivist pas vizitës në këtë institucion. Disa praktika mund të përshkruhen si “torturë” sipas udhëzimeve të OKB-së.
Pacientët mbylleshin në dhoma izolimi plotësisht të errëta për disa ditë, dhe u pretendua se stafi i spitalit kishte ngritur një rrjet trafikimi seksual dhe shiste pacientët për shfrytëzim seksual. Pavarësisht një ndërhyrjeje dhe ashpërsimi të kontrollit, shumë pak gjëra kanë ndryshuar gjatë dekadës së fundit.

“The Sun” foli me avokatët dhe aktivistët Eric Rosenthal dhe Priscila Rodríguez, të cilët e vizituan për herë të fundit Federico Mora Hospital në shkurt të këtij viti. Ata morën një urdhër gjykate për të detyruar qeverinë e Guatemalës që t’u jepte akses në këtë institucion.
Duke folur me Rosenthal dhe Rodríguez, të ndaluarit kanë pretenduar se kanë qenë viktima të trafikimit seksual. Sipas tyre, stafi mblidhte para nga persona të jashtëm dhe i detyronte pacientët të kryenin marrëdhënie seksuale me ta. Gjithashtu pretendohet se persona të jashtëm silleshin në spital për të përdhunuar të ndaluarit, dhe se pacientët ndonjëherë nxirreshin jashtë për t’u trafikuar nga stafi i spitalit. Një grua i tha Rodríguez se ishte përdhunuar në këmbim të një cigareje për rojën.

Oficerë të Policisë Civile Kombëtare patrullojnë ambientet e institucionit me armë të mbushura. Në këtë institucion nuk ka dhoma të veçanta, por vetëm një korridor të gjatë me shtretër, sipas Rodríguez. Mbi 60 persona janë të ngjeshur në një hapësirë me kapacitet përgjysmë më të vogël.



