Një aktivist francez për të drejtat e kafshëve pagoi 300 euro për të blerë një karavidhe nga një restorant në juglindje të Francës, jo për ta konsumuar, por për ta liruar në det. Ngjarja ndodhi në Roquebrune-Cap-Martin, sipas gazetës Le Parisien. Stéphane Lamar, president i një organizate për mbrojtjen e kafshëve që ai themeloi në vitin 2000, ndodhej në një restorant së bashku me një mikeshë për të festuar ditëlindjen e tij.

Gjatë vaktit, një kameriere iu afrua tavolinës së tyre për t’u prezantuar me kapjen e ditës, e cila përfshinte peshq dhe fruta deti. Mes tyre ndodhej edhe një karavidhe i gjallë. Lamar e përshkroi atë që pa si një “skenë tmerri” dhe vendosi ta blinte karavidhen. “Nuk mund ta duroja atë që po shihja”-deklaroi ai për France 3.

Ai, i cili është vegjetarian, sqaroi se nuk u kërkon restoranteve të ndalojnë së shërbyeri mish dhe peshk. Megjithatë, ai tha se do të dëshironte që frutat e detit të mpiheshin para se të vendoseshin në ujë të valë. Aktivisti vendosi në fund të paguante 300 eurot që kërkonte restoranti. Më pas, e mori karavidhen me vete, e çoi në det dhe e liroi në ujërat e Mesdheut.

Lamar deklaroi se nuk e di nëse karavidhja arriti të mbijetonte pas lirimit të saj: “Të paktën i dhashë një mundësi të dytë për të jetuar”-u shpreh ai. Nuk është hera e parë që aktivisti francez ndërmerr një veprim të tillë. Në vitin 2024, ai kishte blerë tre karavidhe të gjallë që ndodheshin në vitrinën e një restoranti në Menton, duke paguar edhe atëherë para për t’i liruar.