Prej më shumë se një dekade, Neymar ka trajtuar flokët si një projekt të përhershëm arti.
Nga stili mohikan te kaçurrela platin, nga dredhat te ngjyrat ekstreme, braziliani ka provuar thuajse gjithçka dhe nuk ka ndërmend të ndalet.
Neymar ka provuar më shumë stile se çdo futbollistë gjatë gjithë karrierës. Vetëm gjatë vitit 2018 ai ndryshoi modelin të paktën 12 herë: nga brun në biond, nga dredhat te majat e ngritura, shpesh me ngjyra të çuditshme. Profesionisti i flokëve, Vladimir Levinson, vlerëson se disa prej tyre ishin goditje të bukura, si modeli “top knot” i vitit 2015 ose afro-ja klasike e fillimvitit 2018, por pjesa tjetër, sipas tij, ishin thjesht eksperimente për efekt vizual.
Fiksimi i Neymarit për flokët nuk është i ri. Vitet 2010–2012 eksperimentoi me mohikanin e famshëm, i cili u kthye në simbol të rinisë braziliane. Berberi i tij i atëhershëm, Cosme Salles, kujton se gjithçka nisi si një ide e thjeshtë për të “provuar diçka ndryshe”, por përfundoi duke krijuar një trend të ri.
Kur Neymar kaloi te Barcelona, mania u ngrit në një tjetër nivel. Rafinha dhe Dani Alves i këshilluan stilistin katalanas Wagner Tenorio, të cilin ‘ylli’ brazilian e trajton si “doktor personal të flokëve”. Tenorio paguhet rregullisht rreth 2 mijë euro në muaj, shpesh shkon në shtëpinë e Neymarit dhe është përgjegjës për rikthimin e tij në ngjyrat ekstreme: të kuqe flakë, biond platin, natyrale me kaçurrela apo me nuanca të çelura.

Në anën tjetër qëndron berberi Nariko, mjeshtër i dizenjove artistike me anët e kokës të rruara. Portrete, figura, zbukurime, një galeri arti mbi lëkurë. Nariko ka punuar me gjithë ekipin e Brazilit dhe, për Neymar-in, ka hapur madje edhe një studio në Paris.
Pjesa tjetër është histori: në Botërorin 2018 Neymar ndryshoi katër herë stil në dy javë, shkaktoi meme të pafundme dhe e mbylli turneun me një model që kujtoi “spaghettin” famoz. Prej vitit 2023 deri sot, ai vijon me stilime të reja: ngjyrë rozë pambuku, variante bionde argjendi dhe forma moderne mbi kaçurrelat natyrale. Një gjë është e sigurt: për Neymarin, çdo sezon është një arsye e re për të rishpikur veten, të paktën nga qafa e lart.
