Ylli i reality show-t, Rolling Ray, ka ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare. Lajmin e hidhur e ka konfirmuar nëna e tij përmes një deklarate emocionale në “Facebook”. Influencuesi i rrjeteve sociale do të mbushte 29 vjeç më 5 shtator.
“Me zemër të thyer ju njoftoj se djali im Ray ka ndërruar jetë. Falënderoj të gjithë ata që më kanë telefonuar ose dërguar mesazhe. Kjo do të jetë një rrugë e gjatë”, ka shkruar nëna e të ndjerit.

28-vjeçari, emri i vërtetë i të cilit është Raymond Harper, ishte i njohur për skeçet online përpara se të shfaqej në emisionin e “MTV Catfish Trolls” dhe emisionin e takimeve, “Bobby I Love You, Purr”.
Ray e përshkruante veten si ‘djali më i famshëm në karrige me rrota’. Kohët e fundit ai ka kaluar një sërë problemesh shëndetësore, ku në maj është dërguar me urgjencë në kujdes intensiv pasi kishte probleme me frymëmarrjen.
Ylli i rrjeteve sociale pranoi se nuk ishte i sigurt nëse do të arrinte në Ditën e Nënës, që ishte më 11 maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të shëndetit të tij të dobët.
Ray u sëmur gjithashtu me pneumoni në vitin 2022, si dhe me Covid, të cilin ai tha se pothuajse e vrau. Gjithashtu kishte edhe një infeksion gjaku.
“Sistemi im imunitar nuk është mjaftueshëm i fortë për ta luftuar atë vetë”, tha në atë kohë Ray.