Influencuesja e njohur për mesazhet e vetëvlerësimit dhe fuqizimit të grave, “The Wizard Liz”, ka mirëpritur fëmijën e saj të parë. Lajmi i bukur vjen pas një periudhe shumë të vështirë personale, pasi Liz u përball publikisht me tradhtinë e ish-të fejuarit të saj, YouTuberit Landon Nickerson, në kohën kur ishte katër muajshe shtatzënë.

Në rrëfimet e saj të sinqerta në rrjetet sociale, Liz zbuloi se Landon kishte krijuar një llogari të fshehtë për t’iu afruar një vajze tjetër, ndërsa më pas kishte tentuar ta minimizonte situatën. E lënduar, ajo zgjodhi veten dhe fëmijën e saj, duke dhënë një shembull force për mijëra ndjekëse.

Si një gjest simbolik dhe solidar, Liz vendosi të shesë unazën e fejesës dhe të dhurojë të ardhurat për nënat beqare, duke kthyer dhimbjen personale në mbështetje për gratë e tjera. Pavarësisht gjithçkaje, ajo u ka kërkuar ndjekësve të mos dërgojnë mesazhe urrejtjeje ndaj ish-partnerit, duke treguar pjekuri dhe ndjeshmëri edhe në këtë moment.