Palermo është kthyer në epiqendrën e vëmendjes ndërkombëtare për dasmën e shumëpërfolur të këngëtares Dua Lipa me aktorin Callum Turner, një ceremoni e zhvilluar në disa ditë dhe në disa prej lokacioneve më ekskluzive të qytetit dhe zonës përreth. Ngjarja, e vlerësuar në rreth 1.5 milionë euro dhe me një listë të gjatë të ftuarish ndërkombëtarë, është shoqëruar me masa të forta sigurie dhe kufizime të lëvizjes në disa zona të qendrës historike të Palermos. Disa rrugë janë mbyllur përkohësisht ose janë vendosur nën kontroll të rreptë aksesesh, duke ndryshuar qarkullimin normal të qytetit gjatë zhvillimit të eventit.

Në të njëjtën kohë, në qendër të qytetit kanë shpërthyer protesta simbolike nga banorët lokalë, të cilët kundërshtojnë ndikimin e turizmit masiv dhe përdorimin e hapësirave publike për ngjarje private luksoze. Slogane si “Piazza jonë nuk është salloni yt” dhe “Palermo nuk është me qira” janë shfaqur në postera dhe fletëpalosje të shpërndara në disa rrugë të qendrës historike. Pas këtyre nismave qëndron grupi “Apro Palermo”, një organizatë që kundërshton fenomenin e mbiturizmit dhe që ka bërë thirrje për ekspozimin e mesazheve protestuese në ballkone dhe hapësira publike. Materialet janë hequr më vonë nga autoritetet.

Ceremonia zhvillohet mes qendrës historike të Palermos dhe vilave historike në provincë, përfshirë struktura luksoze si Villa Igiea dhe rezidenca të tjera private, të shpërndara në disa ditë aktivitetesh të mbyllura dhe me nivel të lartë sigurie.