Shtëpia e braktisur e Lolo Ferrari, një prej figurave më të njohura të filmave për të rritur në Evropë gjatë viteve ’90, është rikthyer në vëmendjen e publikut. Shkak janë bërë disa pamje të frikshme nga ambientet e saj të rrënuara, të bëra publike nga një eksplorues.

Kujtojmë se Lolo Ferrari u gjet e vdekur në këtë shtëpi në vitin 2000, në rrethana që ende kanë mbetur të dyshimta për shumë ndjekës të saj.

Eksploruesi francez, i njohur në “TikTok” si Silent Hills Explorations, publikoi një video ku tregon gjendjen brenda vilës në jug të Francës.

Pamjet në fjalë zbuluan një skenë të zymtë: kolltuqe të mykura, një BMW të vjetër të ndryshkur në oborr. Gjithashtu tregon edhe një televizor të vjetër të mbuluar nga pluhuri dhe një frigorifer të mbushur me ushqime të kalbura e larva të ngordhura.

Libra, revista dhe sende personale të ish-modeles mbeten ende të shpërndara nëpër dhoma, ashtu siç ishin lënë 24 vite më parë. Madje, pranë oxhakut gjenden ende zbukurime të vjetra të Krishtlindjeve.

Mediat e huaja shkruajnë se pamjet tronditëse kanë ngjallur reagime të shumta nga përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët pyesin pse shtëpia nuk është trashëguar apo shitur, duke u shprehur të trishtuar për gjendjen e saj të mjeruar.

Lolo Ferrari, emri artistik i Eve Valois, u bë e famshme botërisht për gjoksin e saj të madh, që e futi në librin Guinness. Transformimi i saj ekstrem u nxit nga bashkëshorti dhe menaxheri i saj, Eric Vigne. Para moshës 33-vjeçare, ajo kishte kryer plot 22 ndërhyrje kirurgjikale vetëm në gjoks.

Ndërkohë aktorja u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Grasse në vitin 2000, në moshën 37-vjeçare. Edhe pse vdekja u cilësua si vetëvrasje, dyshimet ranë mbi bashkëshortin e saj, i cili u arrestua dhe u mbajt 13 muaj në burg, për t’u shpallur më pas i pafajshëm pas ekspertizave të reja mjekësore.

Shtëpia ku jetoi çifti mbeti në pronësi të tyre, por që pas vdekjes së artistes duket se është lënë në mëshirë të fatit. Pamjet e fundit të publikuara kanë ringjallur diskutimet për jetën dramatike, misterin e vdekjes dhe fatin e trishtuar të banesës së ikonës franceze.