Një performancë artistike e planifikuar për të mahnitur publikun është kthyer në një moment frike dhe kaosi në Kinë, kur një balerinë u përfshi nga flakët gjatë një shfaqjeje me zjarr.

Ngjarja ndodhi në qytetin Nantong, ku artistja po realizonte një kërcim me elementë zjarri, duke veshur një fustan të gjatë të rrethuar nga një unazë flakësh. Fillimisht, gjithçka dukej nën kontroll dhe pjesë e koreografisë, por situata doli jashtë kontrollit kur flakët nisën të përhapeshin në trupin e saj.

Pamjet dramatike tregojnë momentin kur balerina, e përfshirë nga zjarri, fillon të vrapojë në panik përgjatë bregut, ndërsa flakët ngjiten drejt flokëve të saj. Ajo përpiqet me çdo kusht të shpëtojë, derisa hidhet në lumin pranë për të shuar zjarrin. Fatmirësisht, pas ndërhyrjes së shpejtë, balerina u dërgua në spital dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pa dëmtime të rënda. Autoritetet kanë pezulluar menjëherë shfaqjen dhe kanë nisur hetimet për standardet e sigurisë gjatë performancës.

