Pamje tronditëse janë publikuar nga momenti i arrestimit të Nick Reiner, i cili akuzohet për vrasjen brutale të prindërve të tij, figurës legjendare të Hollywood-it Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij, Michele.

Fotografitë tregojnë çastin kur dhjetëra automjete policie, me dritat ndezur, rrethojnë 32-vjeçarin në një kryqëzim në qendër të Los Angeles, rreth 15 milje larg rezidencës luksoze 13.5 milionë dollarëshe të familjes Reiner në Brentwood.

Nick shihet duke ecur ngadalë në mes të rrugës, përpara se të ngrejë duart lart në shenjë dorëzimi, teksa policët i afrohen dhe e neutralizojnë pa rezistencë.

Sipas autoriteteve, Nick Reiner tashmë përballet zyrtarisht me dy akuza për vrasje të shkallës së parë. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht, ndërsa prokurorët kanë bërë të ditur se edhe dënimi me vdekje mbetet në shqyrtim.

Departamenti i Policisë së Los Angeles konfirmoi se arrestimi u bë rreth gjashtë orë pasi u mor thirrja e parë në 911. Zyrtarët thanë se gjurmimi i tij ishte rezultat i “një pune solide hetimore” dhe se arrestimi u krye pa incidente.

Ende mbeten të paqarta detajet e lëvizjeve të Nick para arrestimit, përfshirë mënyrën se si ai u largua nga Hoteli Pierside në Santa Monica, ku sipas raportimeve, stafi kishte zbuluar shenja gjaku në dhomë. Hetimet për këtë ngjarje të rëndë dhe tronditëse vazhdojnë.