Është zbuluar pas 30 vitesh një letër prekëse e Princeshë Dianës drejtuar ‘fallxhores’ së saj, ku i shkruante “sa shumë i vlerësoj bisedat tona”.

Diana krijoi një lidhje të ngushtë me Rita Rogers, të cilën e vizitonte rregullisht për lexime pas prezantimit nga një mik i përbashkët në vitin 1994.

Thuhet se Princesha mori me vete të dashurin e saj, Dodi Al-Fayed, për t’a takuar atë, disa javë para se të dy të humbnin jetën në aksidentin tragjik në Paris, më 31 gusht 1997.

Rogers, e cila ishte gjithashtu e afërt me Sarah Ferguson, ish-Dukeshën e Jorkut, më vonë pretendoi se i kishte thënë Dianës se do të lidhej romantikisht me një burrë të huaj me emrin që fillonte me “D”, pak para se ajo të fillonte lidhjen me Al-Fayed.

Kjo bëri që Dodi të dëshironte ta takonte Rita-n, dhe takimi u zhvillua në shtëpinë e saj në Lower Pilsley, Derbyshire, më 12 gusht 1997.

Në letrën e shkruar me dorë, Diana e falënderon Ritan për “mirësinë dhe bujarinë e jashtëzakonshme” dhe shton se miqësia e saj është “tepër e çmuar dhe e vlerësuar”.

Një muaj pasi Diana e shkroi këtë letër, u transmetua intervista e saj famëkeqe për “BBC Panorama” me gazetarin e turpëruar, Martin Bashir.

Korrespondenca, e datës 23 tetor 1995 dhe e shkruar në letër me stemën e Pallatit Kensington, thotë:

“Kjo letër ka vonuar gjatë, por vjen vërtet nga zemra.

Doja shumë të dija se sa thellë i vlerësoj bisedat tona dhe pas gjithë asaj që i jep të tjerëve, ti përsëri gjen kohë për këtë Gaforre të veçantë!

Ti, Rita, je jashtëzakonisht e mirë dhe bujare me mua dhe kjo vlerësohet dhe çmohet tej mase – faleminderit.”

Princesha fluturoi me Dodin në një helikopter të Harrods për të takuar Rita-n në shtëpinë e saj në Chesterfield, Derbyshire, më 12 gusht 1997.

Çifti kaloi 90 minuta me fallxhoren.

Rogers, e cila është me prejardhje rome dhe tani në të 80-at, kujtonte më vonë:

“Ajo telefononte të paktën një herë në javë për të parë si isha, si edhe për lexime. Kur vinte të më takonte, më përqafonte fort.

Gjithmonë më linte një dhuratë… kemi bërë shumë të qeshura dhe kemi pasur një marrëdhënie të jashtëzakonshme.

I kisha thënë se do të takonte një burrë të huaj me inicialin ‘D’ në ujë – dhe se burri do të ishte i lidhur me industrinë e filmit.

Jo shumë kohë më pas, ajo më telefonoi dhe tha: ‘Rita, merr me mend ku jam? Jam në një varkë me një burrë që sapo e kam takuar, të quajtur Dodi Fayed.’”

Letra prej dy faqesh, e nënshkruar “me dashuri, Diana”, ka dalë në shitje nga një koleksion privat në ankandin Chiswick Auctions në Londër, me një vlerësim prej 1,500 deri në 2,000 paund. Shitja zhvillohet më 31 janar.

Specialistja Valentina Borghi tha:

“Shitësi aktual e ka blerë letrën në tregun londinez disa vite më parë.

E dimë që Diana mbështetej te astrologët dhe spiritualistët, duke shpresuar të gjente mbështetje dhe udhëzim emocional.

Perceptimi i përgjithshëm është se kjo vinte nga vështirësitë në martesën e saj me Princin Charles.”