Aktori i famshëm i Hollywood-it, Pierce Brosnan, është ribashkuar me djalin e tij, Christopher, pas gati 20 vitesh qëndrimi të ndarë.

72-vjeçari, i cili e kishte adoptuar Christopher-in në vitin 1986, u pa për herë të parë pas shumë vitesh me të në Notting Hill, në Londër, këtë javë.

Mediat e huaja shkruajnë se ta u bashkuan me djalin tjetër të aktorit, Dylan, 28 vjeç, për një darkë familjare në restorantin e njohur “Dorian”.

Sipas burimeve për “The Mirror”, takimi ishte i ngrohtë dhe plot emocione:

“Të dy dukeshin të lumtur dhe të qetë gjatë darkës. Problemeve të tyre u është dhënë shumë vëmendje ndër vite, por duket se tashmë i kanë lënë pas. Ishte vërtet bukur t’i shihje bashkë.”

Pierce, i cili dikur ishte detyruar t’a shkëpuste kontaktin me të birin për shkak të varësisë së tij nga droga, duke e quajtur këtë “një akt dashurie të ashpër”, është parë i buzëqeshur ndërsa largohej nga restoranti me të dy djemtë.

52-vjeçari është djali biologjik i Cassandra Harris, bashkëshortja e parë e ndjerë e Brosnan, dhe ish-bashkëshortit të saj Dermot. Ai ka luftuar për vite me radhë me varësinë ndaj kokainës dhe heroinës, madje dikur ka rënë edhe në komë pas një mbidoze.

Në një intervistë për “Playboy” në vitin 2005, Brosnan kishte treguar me dhimbje se ishte detyruar ta largonte djalin e tij për ta shtyrë drejt rikuperimit:

“Christopher është ende shumë i humbur. Ai e di se si mund të dalë nga kjo, por nuk dëshiron. Është e dhimbshme, por duhej ta bëja. I thashë: ‘Shko. O fillo të jetosh, o përgatitu të vdesësh.’ Ai ka gjithmonë lutjet e mia.”

Ribashkimi i tyre pas dy dekadash shihet si një hap i madh dhe premtues për marrëdhënien e familjes Brosnan.