Këngëtarja e famshme, Selena Gomez, është martuar me producentin e suksesshëm të muzikës, Benny Blanco. Çifti ndau me ndjekësit e saj në Instagram një sërë fotosh nga ceremonia, të shoqëruara me mbishkrimin “9.27.25”, duke shënuar kështu ditën e tyre të veçantë pas një fejesë nëntë-mujore.
“Gruaja ime në jetën reale”, ka komentuar 37-vjeçari, në postimin e bashkëshortes së tij.
Sipas revistës “Vogue”, ceremonia u zhvillua të shtunën me rreth 170 të ftuar. Në mesin e tyre besohet të kenë qenë Taylor Swift, si dhe aktorët Steve Martin e Martin Short, kolegë të Gomez në serialin “Only Murders In The Building”.
Selena Gomez, 33 vjeç, ka zgjedhur një fustan sateni të dizajnuar nga Ralph Lauren, ndërsa Blanco kishte veshur një smoking klasik me papijon. Dyshja ka bashkëpunuar edhe në muzikë, me albumin “I Said I Love You Firs”t, i publikuar në mars, i cili pasqyron historinë e tyre të dashurisë.
Më herët, ata kanë sjellë hite si “Same Old Love” (2015) dhe “I Can’t Get Enough” (2019), në bashkëpunim me Tainy dhe J Balvin.