Ish-portieri brazilian Bruno Fernandes de Souza është rikthyer në burg pasi autoritetet konstatuan se kishte shkelur kushtet e lirimit të tij me kusht. Sipas mediave të huaja, 41-vjeçari kishte udhëtuar pa autorizim për të luajtur me skuadrën Vasco-AC në një ndeshje të Kupës së Brazilit gjatë muajit shkurt, çka konsiderohet shkelje e drejtpërdrejtë e masave të vendosura nga drejtësia braziliane.
Pas lëshimit të urdhrit të arrestit në mars, ai qëndroi për disa javë në arrati derisa u arrestua nga policia në Sao Pedro da Aldeia dhe më pas u transferua në burgun Frederico Marques në Rio de Janeiro. Bruno Fernandes de Souza ishte një nga portierët më të njohur në Brazil dhe dikur konsiderohej pranë transferimit te Milani, përpara se të arrestohej në vitin 2010.
Tre vite më vonë ai u dënua me 22 vite burg për përfshirje në vrasjen e ish-partneres së tij, modeles Eliza Samudio, e cila u zhduk pas një konflikti për njohjen dhe mbështetjen financiare të djalit të tyre. Sipas dosjes gjyqësore, ai u shpall fajtor për vrasje, rrëmbim, izolim të paligjshëm dhe fshehje të trupit. Trupi i Eliza Samudio nuk është gjetur asnjëherë. Në vitin 2023, ish-portieri kishte përfituar lirim me kushte, por autoritetet thonë se udhëtimi i paautorizuar për aktivitet sportiv përbënte shkelje të rëndë të rregullave të vendosura nga gjykata.



