Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, po kalon një periudhë të vështirë në aspektin sportiv, pasi në ndeshjen ndaj Letonisë nuk u aktivizua asnjë minutë nga trajneri Silvinjo. Megjithatë, jashtë fushës, sulmuesi duket më i qetë dhe i lumtur, falë rikthimit të marrëdhënies me partneren e tij, Giota.
Çifti kishte ngritur dyshime për ndarje disa muaj më parë, pasi fshinë të gjitha fotot e përbashkëta në “Instagram” dhe hoqën ‘follow’ njëri-tjetrit. Por duket se ndarja ka qenë vetëm e përkohshme. Në sfidën e fundit të Shqipërisë në “Air Albania”, Giota ishte në tribuna për të mbështetur Asanin, edhe pse ai nuk u fut në lojë. Pas përfundimit të ndeshjes, ajo zbriti në fushë për ta përqafuar partnerin e saj.
Në “InstaStory”, Giota publikoi një foto duke u puthur me Asanin, një imazh që u shpërnda më pas edhe nga vetë futbollisti, duke konfirmuar kështu se historia e tyre është ringjallur.
Asani dhe Giota janë së bashku prej rreth një viti dhe shpesh kanë ndarë me ndjekësit momente nga udhëtimet e tyre, vizitat e Giotës në Kore apo mbështetjen e saj në stadium. Edhe pse një periudhë e heshtur në rrjetet sociale bëri të besohej se lidhja kishte marrë fund në prill, tashmë dyshja duket se ka gjetur përsëri harmoninë.