Merjem Lumi është një prej grave të pakta shqiptare që mori guximin të flasë publikisht për Islamin në rrjetet sociale, por së fundmi është rikthyer me një rrëfim që përmbys çdo gjë që ajo ka predikuar për gati çerek shekulli.

Ajo shfaqet pa shami, me tatuazh në trup dhe me një identitet të ri: Maria, emri që i kishte dhënë gjyshja para se të hynte në Islam.

Pas 24 vitesh përkushtim fetar, ajo del përpara publikut jo si një “ish-teologe”, por si një njeri që po kërkon Zotin jashtë çdo dogme.

“Nuk jam kthyer e krishterë,” thotë ajo, “por nuk jam më as ajo që kam qenë.” Dhe në këtë “askund” mes besimit dhe boshllëkut, fillon historia e saj.

Ajo ishte një ndër figurat më të njohura të predikimit islam në rrjete sociale. Një grua që vinte nga Korça, ishte rritur në Durrës dhe në moshën 13-vjeçare kishte vendosur të konvertohej në Islam.

Në atë moshë, kur shumë vajza shqiptare mendojnë për shkollën apo modën, ajo vendosi hixhabin dhe udhëtoi drejt Damaskut, për të ndjekur studimet teologjike. E diplomuar në qytetin ku çdo rrugicë mban aromë historie fetare, ajo u kthye në Shqipëri me bindjen se kishte një mision: të përhapte fjalën e Zotit, të sillte dashuri, paqe dhe moral. Por rrjeti që dikur e duartrokiti, ishte i njëjti që më pas do ta linçonte.

Ndërkohë në rrëfimin e saj të fundit, Maria tregon se si, pas tërheqjes, ka kaluar një vit të mbushur me kriza identiteti dhe emocionale të rënda, depresion, vetmi dhe pyetje të dhimbshme që çdo besimtar mund t’i ketë menduar, por pak kanë guxim t’i thonë.

@maria.lumi888

♬ original sound – maria lumi

“Kam menduar se Zoti më do, kam menduar se jam në shërbim të Tij, por pse Zoti nuk më mbrojti nga gjithë kjo dhimbje? Pse Zoti më la të shkatërrohem?”

Ajo përshkruan veten si njeri që ka bërë çdo gjë “siç duhet”: është falur më shumë se kushdo, ka bërë dhikr, ka përmendur emrin e Zotit pa pushim, ka edukuar fëmijët e saj në besim, e megjithatë Zoti nuk e ka mbrojtur.

Citimi i plotë të Marias:

Përshëndetje njerëz. Unë jam Maria. Emri Maria është emri që më ka vendosur gjyshja ime dhe emri Merjem Lumi ka qenë emri pasi unë u futa në Islam. A do të thotë kjo që unë jam kthyer e krishterë? Jo! Nuk jam kthyer e krishterë.

Unë nuk jam këtu për të kritikuar kënd, për gjërat që kanë ndodhur vjet. Nëse dikush e ka ndjerë veten që është mbrojtësi i fesë apo e ka për detyrë, i lumtë! Por për mua si person, situata që ka ndodhur vjet ka qenë gjëja më e vështirë që kam kaluar ndonjëherë në jetën time.

Gjë e cila mua më ka bërë që jo vetëm të rrënohet realiteti rreth e rrotull meje, por të rrënohen ato 24 vite investim nga ana ime në fenë islame.

Kam menduar se jam njeri i mirë, kam menduar se kam bërë mirë. Kam menduar se jam në shërbim të fesë dhe të Zotit dhe kam menduar se unë kam një pozitë te Zoti, pra që Zoti më do. Ju jeni dëshmitarë që nëse ka pasur njeri që ka folur me aq shumë pasion për Zotin, për fenë, me aq shumë ndjenja të thella dhe që ka depërtuar në zemrën tuaj, besoj që kam qenë unë, sepse e kam ndjerë realisht atë gjë.

Pasi unë vjet u tërhoqa, pas gjithë atij sulmi, lufte, e cila për mua ka qenë jo fetare, as njerëzore. Pavarësisht se çfarë mund të kisha thënë apo të kisha bërë, mendoj që Islami është feja e paqes. Kurse për mua rezultoi feja e dhunës dhe e luftës karshi meje si individ.

Në momentin që u tërhoqa, kam kaluar në kriza emocionale shumë të thella. Kam ndjerë shumë zhgënjim, shumë tradhti, shumë poshtërim. Kam ndjerë atë poshtërimin që ka folur për mua çdo i mençur dhe budalla. Çdo i madh dhe i vogël. Nuk ka mbetur njeri pa më shajtur, pa më mallkuar, pa më akuzuar, pa nxjerrë histori të cilat edhe unë kur i dëgjoja, habitesha.

Pas gjithë kësaj, nisa t’i bëj pyetje vetes: “Përse ndodhi e gjithë kjo? A ka qenë dënim nga Zoti? Edhe nëse ka qenë dënim nga Zoti, çfarë kam gabuar? Edhe nëse kam gabuar, a kam merituar një dënim kaq të ashpër? Dhe nëse kam merituar një dënim kaq të ashpër, a është kjo mënyra se si mua Zoti më tregon që kam qenë e keqe?”

Edhe nëse unë deri në atë kohë kam qenë ‘shumë e keqe’ për ta merituar gjithë atë dënim, si është të jesh e mirë? Çfarë duhet të bëj unë që Zoti të kënaqet? Që Zoti të më dojë?

A më ka dashur Zoti në të vërtetë? A kam qenë unë në iluzion? Kam menduar që njerëzit më duan, më respektojnë për këtë që jam. Por doli që njerëzit jo vetëm që nuk më kanë dashur, por më kanë urryer me shpirt.

Më kanë ardhur mallkime: “T’u shoftë jeta, t’u bëftë shkrumb e hi. I lënsh fëmijët jetimë. Mos paç një ditë të bardhë.” Çfarë kam mbjellë unë tek zemrat e njerëzve, që të meritoj gjithë këtë urrejtje dhe mllef dhe bullizim masiv?

Nisa të mendoj thellë për raportin që kam pasur unë me veten, me njerëzit, me besimin. A kam qenë unë në rrugë të drejtë? A kam qenë unë e devijuar? I hodha në tavolinë të gjitha akuzat që më janë bërë. A jam vërtet qafire?

Nëse kam qenë qafire, si të jem besimtare? Nëse jam shumë e poshtër, çfarë duhet të bëj tjetër për të qenë e mirë? Nëse kam qenë mashtruese, si të jem e sinqertë? Si të jem e vërtetë? Çfarë duhet të bëj ekstra?

Unë kam menduar që duke sakrifikuar kohën time, mundin tim, duke bërë djalin e madh hafiz dhe vajzën me shami… e gjithë familja… Unë duke qenë një myslimane praktikante, mendoj e devotshme. S’besoj të ketë pasur njeri që ka falur më shumë namaze sesa unë, të ketë bërë dhikr më shumë sesa unë, të ketë bërë salavate, të ketë bërë adhurime, të cilat, secila prej tyre kishte nga një premtim.

Pra kush e bën “këtë”, është i mbrojtur. Kush e bën “këtë”, Zoti kënaqet. Dhe mendova: përse Zoti nuk më ka mbrojtur mua nga gjithë këto dhimbje? Përse Zoti nuk më mbrojti mua nga shkatërrimi, nga vuajtja, nga vdekja ime? Sepse përgjatë këtij viti, Merjeme nuk pati mundësi t’ia dalë. Vdiq.

Vdiq nga dhimbjet e mëdha që i janë shkaktuar. Ajo që mbeti ishte vetëm pyetjet dhe kriza e identitetit. Kam kaluar një krizë identiteti që nuk e dija më çfarë jam, kush jam, për çfarë kam ardhur, çfarë duhet të bëj me jetën time? A kam qenë me të vërtetë në iluzion? Ku jam? Çfarë jam? A kam qenë gjithë jetën në të gabuar? A kam qenë gjithë jetën duke punuar kot?

Kështu vendosa që, ashtu siç u shkatërrua jeta ime në realitetin që patë, shkatërrova të gjitha bindjet e mia, gjërat që unë i besoja dhe vija dorën në zjarr për to. Për ta gjetur edhe një herë rrugën për tek Zoti, mënyrën se si unë duhet të jem në lidhje me Zotin, që Ai të kënaqet me mua dhe të më dojë… Sepse gjëja që më ka dhimbur më tepër ishte kur unë e kam pyetur veten “A më do Zoti?” dhe e ndjej që Zoti nuk më do. Jo vetëm që nuk më do, por më ka braktisur, po më dënon.

Kështu që, ja ku jam tani para jush. Nuk jam më në asnjë lloj bindje dhe besim që unë kisha ndërtuar për gjithë këto vite. Sepse u shemb çdo gjë, si jashtë, si brenda meje. Nëse keni kërkuar sqarim pse unë e kam hequr shaminë, kjo është. Sepse jam duke e kërkuar rrugën për tek Zoti njëjtë siç e ka kërkuar Ibrahimi alejhi selam, duke e gjetur vetë, pa e mësuar nga askush dhe nga asgjë.