Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar së fundmi përdorimin e medikamenteve të reja për të ulur kurbën e obezitetit duke kërkuar nga kompanitë farmaceutike të ulin çmimet. Medikamentet për të cilat kërkohet ulja e çmimit dhe zgjerimi i bazës së aksesit për vendet me të ardhura të ulëta janë Wegovy, Ozempic dhe Mounjaro, të cilët sugjerohen krahas një diete të shëndetshme, ushtrimeve fizike dhe mbështetjes mjekësore.
Ndërkaq, barnat e reja kundër obezitetit që kanë dalë së fundmi, të bazuara në semaglutide dhe tirzepatide, kanë sjellë rezultate të mëdha në humbje peshe duke ulur oreksin dhe ndihmuar trupin të ndiejë ngopje. Por studimet e fundit tregojnë se efekti zhduket shpejt sapo trajtimi ndalet.
Sipas një analize të publikuar në British Medical Journal, shumica e pacientëve rikuperojnë peshën e humbur brenda një viti e gjysmë, shpesh duke marrë mbrapsht më shumë sesa kanë humbur. Kjo ndodh sepse trupi rikthehet te ritmet e zakonshme të oreksit dhe metabolizmit një fenomen i quajtur “efekti rebound”.
Ndërprerja e medikamentit nuk sjell vetëm kthimin e kilogramëve, por edhe humbjen e përfitimeve shëndetësore të arritura gjatë trajtimit, si kontrolli i sheqerit në gjak, kolesterolit dhe presionit arterial. Ekspertët theksojnë se obeziteti është një sëmundje kronike, dhe për shumë persona, mbajtja e rezultateve kërkon mjekim afatgjatë dhe ndryshime të qëndrueshme në stilin e jetës.




