Aktorja e famshme, Nicole Kidman, rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve teksa hapi sfilatën madhështore “Vogue World: Hollywood”, të mbajtur në studiot Paramount në Los Angeles, të dielën.

58-vjeçarja u shfaq në pasarelë me një fustan elegant të zi sateni nga Chanel, të punuar posaçërisht për të. Modeli, i zbukuruar me kamelia të zeza, ishte frymëzuar nga pamja ikonike e Rita Hayworth në filmin klasit “Gilda” (1946).

Pamja e aktores fituese të “Oscar”-it u kompletua me doreza të gjata të zeza, bizhuteri diamanti dhe taka me majë, ndërsa flokët i kishte të lëshuar në onde të buta.

Aktorja zgjodhi një grim dramatik me buzë të kuqe dhe sy “smokey”, duke sjellë elegancën dhe sensualitetin e epokës së artë të Hollywood-it.

Në skenë, Kidman vallëzoi me këngën legjendare “Put the Blame on Mame”, një homazh për rolin e Rita Hayworth.

Performanca e saj u drejtua nga regjisori Baz Luhrmann, me të cilin aktorja kishte bashkëpunuar më parë në filmin e suksesshëm Moulin Rouge (2001).

Nicole Kidman u ngjit në pasarelë me vetëbesim dhe magjepsi publikun, duke treguar se eleganca dhe karizma e saj mbeten të pakrahasueshme edhe pas dekadash në qendër të vëmendjes.