Showgirl-i argjentinase është rikthyer në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për jetën sentimentale apo projektet televizive, por për një deklaratë që ka ndezur debat të fortë në rrjetet sociale dhe në media.
Belen ka ndarë me ndjekësit se ka kaluar disa ditë të vështira në shtrat, me temperaturë të lartë deri në 39 gradë dhe kollë të fortë. Në një postim, ajo tregoi se tani ndihet më mirë, por theksoi se shumë nga miqtë e saj po kalojnë të njëjtën gjendje dhe shtoi një frazë që u bë menjëherë virale:
“Pas vaksinës jemi të gjithë pak a shumë kështu.”
Edhe pse Belen nuk specifikoi se për cilën vaksinë bëhej fjalë, deklarata u interpretua si një lidhje mes vaksinimit dhe simptomave të saj, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të infektologut të njohur italian, Matteo Bassetti.
Mjeku reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke deklaruar:
“Le të bëjë rolin e showgirl-it, sepse i shkon shumë, por jo të shkencëtares dhe aq më pak të flasë kundër vaksinave.”
Ai shtoi se nuk është e drejtë të lidhet gripi apo gjendja e keqe shëndetësore me vaksinën kundër Covid-it të bërë vite më parë dhe se deklarata të tilla vetëm krijojnë konfuzion te publiku.
Debati mes Belen Rodriguez dhe Bassetti-t është bërë një nga temat më të komentuara në Itali, duke ndarë opinionin publik mes atyre që mbështesin të drejtën e saj për të ndarë eksperiencën personale dhe atyre që mendojnë se figura publike duhet të tregojnë më shumë kujdes kur flasin për çështje shëndetësore.

