E ulur në dhomën e saj të fëmijërisë, 17-vjeçarja Milou Verhoof po përgatitej për herë të fundit. Thonjtë i kishte lyer dhe fustani i mbrëmjes dhe këpucët me taka ishin zgjedhur jo për një mbrëmje me shoqërinë, por për arkivolin ku do të varrosej. Prindërit ishin ulur pranë, mes sendeve të njohura të fëmijërisë së saj. Dhe mbi ta qëndronte psikiatri Menno Oosterhoff, me sytë e tij bojëqielli të ngulur te vajza, trupi i së cilës ishte i shëndetshëm, por mendja e saj ishte kthyer në një vend ku ajo nuk mund të duronte më të jetonte. “Vajzë, udhëtim të mbarë”, i tha ai.
Më pas, ilaçet vdekjeprurëse hynë në trupin e Milou dhe, ndërsa prindërit shikonin, aparaturat që mbanin vajzën e tyre gjallë nisën të fikeshin. Me flokët e tij të bardha, të çrregullta, që të kujtojnë Albert Ajnshtajnin, fytyrën e mbuluar me rrudha të thella dhe vështrimin depërtues, Oosterhoff do të bëhej fytyra e padiskutueshme e një prej praktikave mjekësore më të debatueshme të Holandës, por plotësisht e ligjshme. Tre vjet më parë, pas vitesh traumash psikologjike, Milou iu dha ajo që adoleshentja e konsideronte si arratisjen e saj të fundit: vdekja.
Viktimë e përdhunimit, ajo kishte përjetuar probleme të rënda të shëndetit mendor, vetëdëmtim, tentativa të përsëritura për vetëvrasje dhe vite të tëra trajtimi psikiatrik. Pas shqyrtimit të rastit të saj, Oosterhoff arriti përfundimisht në përfundimin se vuajtjet e përmbushnin kriteret për eutanazi. Por vendimi për t’i dhënë fund jetës së një 17-vjeçareje fizikisht të shëndetshme ka ndezur një betejë mjekësore dhe etike që vazhdon edhe shumë kohë pas vdekjes së Milou.
Prindërit e saj e lavdërojnë Oosterhoff-in, duke thënë se ai më në fund e kuptoi thellësinë e vuajtjeve të vajzës së tyre. Por 14 psikiatër dhe mjekë kontaktuan në mënyrë të fshehtë prokurorët holandezë, duke kërkuar që rasti i saj të hetohej. Ndërkohë, profesori amerikan i psikiatrisë Paul S. Appelbaum i ka thënë tashmë gazetës The Sun se lejimi i vdekjes së asistuar për personat që vuajnë nga sëmundje psikiatrike veçanërisht te adoleshentët është thellësisht problematik. “Në përgjithësi, ideja e vetëvrasjes së asistuar për personat me çrregullime psikiatrike është shumë problematike”, tha profesor Appelbaum, profesor Dollard i Psikiatrisë, Mjekësisë dhe Drejtësisë në Universitetin Columbia.
Në qendër të shqetësimit të tij qëndron një prej pyetjeve më të vështira të psikiatrisë: kur një person që vuan nga një çrregullim i rëndë mendor thotë se dëshiron të vdesë, a mund ta dallojnë mjekët me siguri një dëshirë të menduar dhe të qëndrueshme për vdekjen nga vetë sëmundja? Prof. Appelbaum tha: “Është e pamundur të ndahen efektet e vetë sëmundjes nga procesi vendimmarrës i personit që thotë se dëshiron të vdesë. “Shumë çrregullime psikiatrike kanë një komponent depresiv, i cili mund t’i bëjë njerëzit të ndihen të pashpresë dhe të pafuqishëm. Kjo mund të ndikojë në vendimmarrjen e tyre në rastet kur kërkojnë t’i japin fund jetës.”
Dy muaj para vdekjes së saj, Oosterhoff filmoi një bisedë me Milou-n, gjatë së cilës ajo foli për të ardhmen që besonte se i ishte marrë. “Do të doja të kisha pasur një jetë tjetër, por kjo nuk m’u dha”, tha ajo. E pyetur se çfarë do t’u thoshte atyre që besonin se ajo ishte shumë e re për të marrë një vendim kaq të pakthyeshëm, Milou u përgjigj: “Nuk ka të bëjë me moshën; ka të bëjë me vuajtjen. Provova gjithçka që mundja për ta bërë më mirë.”



