Fluturimet ajrore fshehin një botë të padukshme për pasagjerët! Këtë e kanë treguar mesazhet sekrete që pilotët shkëmbejnë me qendrat operative të kompanive. Ato  zbulojnë incidente, emergjenca dhe ndërhyrje të papritura që ndodhin çdo ditë në qiell.

Më 21 janar të këtij viti, në një fluturim nga Toronto drejt Cayo Coco në Kubë, një pasagjere në vendin 8D u bë e pakontrollueshme. “Kërkon alkool dhe kërcënon se do të ketë krizë nëse nuk ia japim,” raportoi ekuipazhi tek qendra operative e linjës ajrore. Si pasojë, avioni u detyrua të devijojë drejt SHBA-së për të ulur pasagjeren.

Një ditë më pas, në një “Boeing 777” nga Londra për në Singapor, shumë pajisje nuk funksiononin. “Të dy makinat e kafesë nuk montojnë qumështin,” shkruan ekuipazhi. “Sirtari pranë vendit 16K është bllokuar, brenda tij është tableti i pasagjerit.”

Shpesh, mesazhet ACARS raportojnë edhe tualete jashtë përdorimit për shkak të sjelljeve të pakujdesshme të pasagjerëve, si dhe telefona të ngecur në sedilje.

Më 26 janar, në një fluturim nga Francfurti, dy pasagjerë u kthyen në Kolumbi pasi u refuzuan nga policia gjermane. Mesazhet ACARS informonin ekuipazhin: “Dy pasagjerë duhet t’u dorëzohen autoriteteve lokale në Bogota, ulur në vendet 21G dhe 26C.”

Në raste të tjera, autoritetet organizohen në fshehtësi për të shmangur panikun. Në fluturimin Delhi-Londër, pilotët u këshilluan të mos njoftojnë pasagjerin që do të arrestohej dhe të sigurojnë që të gjithë të tjerët të qëndrojnë ulur.

ACARS (Aircraft Communications Addressing and Reporting System) është sistemi automatik i komunikimit midis avionëve dhe qendrave tokësore, përmes radios ose satelitit. Ai transmeton informacione për koordinimin e fluturimeve, problemet teknike, emergjencat mjekësore dhe njoftimet për sigurinë.

Mes 30,000 mesazheve të analizuar nga “Corriere della Sera” gjatë një muaji, shumë lidhen me ndërhyrje të policisë: nga pasagjerë të padisiplinuar te vjedhje në bord, pirje duhani në tualet dhe incidente të mundshme të sjelljes agresive. Disa mesazhe përshkruajnë edhe raste urgjente shëndetësore, përfshirë stjuardesë që u ndje e sëmurë gjatë fluturimit Seattle–Incheon, apo pasagjerë që sëmuren në bord.

Në disa fluturime është raportuar edhe një rast i dyshuar i agresionit seksual, ku kompanitë aktivojnë procedurat e sigurisë, por pasagjerja vendos të mos paraqesë ankesë zyrtare.

Me rreth 14 milionë njerëz që fluturojnë çdo ditë në mbarë botën, avionët janë një “metropol në qiell”, dhe mesazhet ACARS shpesh bëhen linja e parë e raportimit të incidenteve që pasagjerët zakonisht nuk i shohin.